Disa baza ushtarake amerikane në Evropë në vigjilencë të ngritur, rrezik për sulm terrorist
Disa baza ushtarake amerikane në Evropë u vunë në gjendje të ngritur të vigjilencës së sigurisë gjatë fundjavë dhe niveli i mbrojtjes u ngrit në shkallën e dytë më të lartë për shkak të shqetësimeve se një sulm terrorist mund të vërë në shënjestër personel e objekte të ushtrisë amerikane, sipas dy zyrtarëve të këtij shteti.
Bazat, përfshirë garnizonin e ushtrisë amerikane në Stuttgart të Gjermanisë, ku ndodhet selia qendrore e Komandës Evropiane të ShBA-së, e ngritën nivelin e vigjilencës në Kushtin e Forcës së Mbrojtjes “Charlie” të dielën, thanë zyrtarët, raporton televizioni CNN.
Statusi “vlen, kur një incident ndodh ose pranohen të dhëna të inteligjencës që tregojnë se ndonjë formë e veprimit ose shënjestrimit terrorist kundër personelit ose objekteve është i mundshëm”, sipas Ushtrisë së ShBA-së.
Njëri nga zyrtarët amerikanë, i vendosur në një bazë në Evropë, i tha televizionit se ata nuk e kanë parë këtë nivel të rrezikut “në dhjetë vitet e fundit” dhe shtoi se ai zakonisht nënkupton që ushtria ka pranuar një “kërcënim aktiv – të besueshëm”.
Kur u pyet për ndryshimin e nivelit të vigjilencës, një zëdhënës i Komandës Evropiane të ShBA-së, Dan Day, refuzoi që të komentonte për nivele specifike të mbrojtjes së forcës. Megjithatë, ai i tha televizionit se Komanda Evropiane e ShBA-së “është duke vlerësuar vazhdimisht një varg faktorësh që e mbështesin sigurinë e komunitetit ushtarak amerikan jashtë vendit”.
“Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne shpesh marrim hapa shtesë për ta garantuar sigurinë e anëtarëve tonë të shërbimit. Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të futemi në masa specifike, por mbetemi vigjilentë” – shtoi ai.
Nuk është e qartë se çfarë të dhënash të inteligjencës e nxitën sigurinë e shtuar, por autoritetet evropiane kanë paralajmëruar për rrezikun potencial nga terrori në kontinent, sidomos para Lojërave Olimpike Parisi 2024 në korrik dhe gjatë kampionatit evropian të futbollit në Gjermani.
Qeveria gjermane ka angazhuar 580 oficerë policorë ndërkombëtarë për të asistuar në siguri bashkë me oficerët gjermanë.
Edhe Franca është përgatitur për mundësinë e rrezikut për terror ndaj Lojërave Olimpike, që fillojnë pas pak javëve. Që nga marsi, autoritetet franceze e kanë ngritur në nivelin më të lartë sistemin e vigjilencës së sigurisë kombëtare, sipas ambasadës amerikane në Paris./Nacionale