Disa atletë ankohen për mungesë të vezëve në Fshatin Olimpik në Paris - NACIONALE

Disa atletë ankohen për mungesë të vezëve në Fshatin Olimpik në Paris

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa atletë janë ankuar për mungesë të ushqimit në Fshatin Olimpik në Paris, sipas raportimeve.

Garuesit kanë thënë se sasia e ushqimit në dispozicion, sidomos e vezëve, të cilat ishin kufizuar me racione në mëngjes të mërkurën, dhe e mishit të pjekur, është e pamjaftueshme, sipas gazetës franceze “L’Equipe”, raporton televizioni BBC.

Partneri zyrtar për furnizim me ushqim në Fshatin Olimpik, “Sodexo Live!”, konfirmoi “një kërkesë shumë të lartë” për produkte të caktuara dhe tha se “vëllimet do të rriten” për “t’i plotësuar nevojat e atletëve”.

Fshati Olimpik pritet të shërbejë rreth 13 milionë vakte ushqimi – nga 40 mijë në ditë – gjatë Lojërave Olimpike dhe Lojërave Paralimpike.

“Ishte kërkuar që të rishikoheshin me rritje sasitë e planifikuara fillimisht, të cilat grupi do të jetë në gjendje t’i plotësojë” – tha një zëdhënës i grupit “Carrefour”, që është i angazhuar me ofrimin e produkteve të freskëta në Fshatin Olimpik.

Sigurimi i ushqimit për 15 mijë atletë ndërkombëtarë nga 208 shtete e territore është detyrë e madhe.

Gjatë dy periudhave 15-ditore të Lojërave Olimpike dhe Lojërave Paralimpike, më shumë se 13 milionë vakte ushqimi do të shërbehen – sa sasia e ushqimit që shërbehet në dhjetë Kupa të Botës në futboll.

Atletët kanë qasje në gjashtë sektorë kryesorë të kuzhinave franceze, aziatike, afro-karaibe dhe botërore, me 500 receta të ndryshme për shije të llojllojshme.

Lajme të ngjashme