Diplomati: Bisedimet Izrael – Hamas po përparojnë, por mbesin shumë dallime - NACIONALE

Diplomati: Bisedimet Izrael – Hamas po përparojnë, por mbesin shumë dallime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve izraelite “po përparojnë pozitivisht”, por mbeten “shumë dallime”, i tha televizionit CNN një diplomat i informuar rreth çështjes.

Diplomati nuk theksoi se cilat janë dallimet në qëndrimet e palëve, por ishte skeptik se palët janë afër marrëveshjes. Të mërkurën, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se palët po i afrohen marrëveshjes dhe se “dallimet po ngushtohen”.

Përparimi i ngadalshëm i bisedimeve u pasqyrua edhe më tutje, pasi drejtori shërbimit Mossad të inteligjencës izraelite, David Barnea, u largua nga Doha e Katarit pas vetëm një dite me bisedime të tërthorta të hënën. Ekipet teknike izraelite ndodhen tani në Katar në përpjekje për të gjetur zgjidhje për hollësitë e një pakti, thanë këtë javë zyrtarë të Katarit.

“Nuk mendoj se tani jemi në momentin kur mund të themi se jemi afër një marrëveshjeje… Është ende shumë herët për të njoftuar ndonjë sukses” – tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.

Është e paqartë se cilat janë dallimet e pazgjidhura, por njëra nga pengesat më të mëdha mund të jetë kërkesa e Hamasit që pas shkëmbimit fillestar të pengjeve me të burgosur palestinezë, Izraeli të pajtohet për armëpushim të përhershëm e tërheqje të trupave izraelite nga Gaza. Izraeli vazhdimisht ka thënë se këto kushte janë të papranueshme dhe se ende synon që t’i vazhdojë luftimet kundër Hamasit deri në “fitore të plotë”.

“Ne punuam shumë me Katarin, me Egjiptin dhe me Izraelin për të vënë një propozim të fortë në tavolinë. Ne e bëmë këtë; Hamasi nuk e pranoi. Ata u kthyen me kërkesa të tjera. Negociatorët po punojnë për këtë tash për tash” – tha Blinkeni të mërkurën.

Lajme të ngjashme