Diplomatë evropianë e iranianë takohen sot në Gjenevë - NACIONALE

Diplomatë evropianë e iranianë takohen sot në Gjenevë

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Diplomatët evropianë dhe iranianë takohen të premten në Gjenevë për të diskutuar nëse mund të angazhohen në bisedime serioze në javët e ardhshme për uljet e tensioneve në rajon, përfshirë tensionet për programin e kontestuar bërthamor të Teheranit, para rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Takimet në qytetin zviceran, ku fuqitë botërore dhe Irani e kishin arritur suksesin e parë në bisedimet bërthamore para më shumë se një dekade para se të arrinin një marrëveshje më 2015, janë të parat që nga zgjedhjet në ShBA dhe me to synohet që të merret vesh nëse mund të ndërtohet ndonjë momentum para 20 janarit, kur republikani Donald Trump do të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit dhe negociatori i lartë bërthamor, Majid Takhteravanchi, do të takohet të premten me diplomatët e lartë nga Britania, Gjermania dhe Franca, të njohur si grupi E3, pasi të enjten në mbrëmje ishte takuar me kryenegociatorin e BE-së.

Niveli i mosbesimit mes palëve u vu në pah më 21 nëntor, kur vendet e grupit E3 çuan përpara një rezolutë kundër Iranit, me të cilën ngarkohet agjencia bërthamore e OKB-së që të përgatisë një raport “gjithëpërfshirës” për aktivitetet bërthamore të Iranit deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kjo i bën takimet e Gjenevës më shumë si “stuhi mendimesh” të përqendruara te shqetësimet e përbashkëta për atë se si do ta trajtojë dosjen Trumpi, thanë diplomatët.

Diplomatë evropianë, izraelitë e rajonalë thonë se administrata e tij e planifikuar, ku përfshihen figura të ashpra kundër Iranit, si i nominuari për sekretar të Shtetit, Marco Rubio, do të shtyjë përpara politikë me “presion maksimal” me të cilën do të synohet që Irani të rrëzohet në gjunjë ekonomikisht, njësoj siç ishte përpjekur gjatë mandatit të parë si president.

Grupi E3, që përbëhet nga palët evropiane të marrëveshjes së vitit 2015, ka marrë pozicion më të ashpër ndaj Iranit muajve të fundit, kryesisht që nga shtimi i përkrahjes ushtarake iraniane për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë. Megjithatë, ato gjithmonë kanë këmbëngulur se duan që ta mbajnë në fuqi politikën e presionit dhe dialogut./Nacionale

Lajme të ngjashme