Dimri po vjen, ukrainasit përgatiten për një periudhë brutale para vetes - NACIONALE

Dimri po vjen, ukrainasit përgatiten për një periudhë brutale para vetes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëntëvjeçari Artem Panchenko po i ofron ndihmë gjyshes së tij për të shtuar dru në një zjarr me tym në një kuzhinë të improvizuar në ambient të hapur, pranë bllokut të tyre të banesave, pothuajse të boshatisur. Drita e ditës po ik shpejt dhe ata duhet të hanë para se perëndimi i diellit ta zhytë shtëpinë e tyre në të ftohtë e errësirë.

Associated Press

Dimri po vjen. Ata mund ta ndiejnë këtë në eshtrat e tyre përderisa temperaturat po bien nën zero. Si dhjetëra mijëra ukrainas të tjerë, ata po ballafaqohen me një periudhë që pritet të jetë brutale.

Artem-i dhe gjyshja e tij kanë mbetur pa gaz, ujë dhe rrymë për rreth tri javë, që nga koha kur sulmet ruse me raketa e ndërprenë furnizimin me këto lëndë në qytezën që ndodhet në rajonin lindor, Kharkiv. Për ta dhe për pak banorët e tjerë që kanë mbetur në kompleksin e Kivsharivka-s, veshja e shumë rrobave natën e gatimi jashtë banesave janë mënyra e vetme për të mbijetuar.

“Është ftohtë dhe ka bombardime. Është vërtet ftohtë. Po fle me rroba në trup në banesën tonë”, tha Artem-i të dielën, kur po i jepte ndihmë gjyshës gjatë përgatitjes së ushqimit.

Sulmet e reja ruse të hënën dhe të martën në Kiev dhe goditja e disa qyteteve të tjera ukrainase me dronë e raketa, që në shënjestër kishin centrale të energjisë, e kanë përforcuar parandjenjën për një dimër të vështirë.

Përderisa i ftohti po troket, ata që nuk qenë larguar nga luftimet e ashpra, bombardimet e rregullta e pushtimi disamujor rus në lindje të Ukrainës, po mundohen në mënyrë dëshpëruese të gjejnë mënyra për t’u përgatitur për muajt e ftohtë.

Në një fshat afër këtij vendi, Kurylivka, Viktor Palyaitsa po shtyn një karrocë plot me drurë të porsaprerë përgjatë një rruge drejt shtëpisë së tij. Ai kalon pranë një tanku të shkatërruar, mbetjeve të ndërtesave të dëmtuara e vendit të një kishe 300-vjeçare të bërë rrafsh me tokë, kur forcat ukrainase po luftonin për ta çliruar zonën nga pushtuesit rusë.

Burri 37-vjeçar tha se ka grumbulluar mjaftueshëm dru për tërë dimrin. Prapëseprapë, ai planifikon që të flejë pranë një stufe në një ngrehinë të dobët dhe jo në shtëpinë e vet, pasi të gjitha dritaret e saj janë thyer nga copëzat e predhave.

“Nuk është e rehatshme. Shpenzojmë shumë kohë duke bledhur drunj. Mund ta shihni situatën në të cilën po jetojmë”, tha Palyanitsa, duke e kuptuar qetas perspektivën e zymrtë për muajt e ardhshëm.

Autoritetet po punojnë që gradualisht ta rikthejnë energjinë në zonë ditëve të ardhshme, ndërsa pas kësaj do të bëhet riparimi i infrastrukturës për furnizim me ujë e gaz, sipas Roman Semenukha, zyrtar në qeverinë rajonale të Kharkiv-it.

Duke qëndruar pranë një grumbulli të drunjve të çarë, Palyanitsa nuk po e pret ndihmën qeveritare. Ai tha se nuk pret që ngrohja të kthehet së shpejti, por se ndihet i gatshëm që të kujdeset për veten porsa të vijë dimri.

“Kam duar e këmbë, prandaj nuk frikësohem nga acari, sepse mund të gjej dru e ta nxej stufën”, tha ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme