Digjet një depo nafte në Krimenë e pushtuar nga Rusia, dyshohet për sulm me dron
Një depo nafte është përfshirë nga zjarri në qytetin bregdetar të Gadishullit të Krimesë, Sevastopol. Guvernatori rajonal tha se duket që zjarri është shkaktuar nga një sulm me dron.
Guvernatori i emëruar nga Rusia, Mikhail Razvozhaev, në rrjete sociale shkroi: “Sipas të dhënave preliminare, zjarri është shkaktuar nga një goditje me dron”, raporton gazeta “The Guardian”.
Sevastopoli, i shtrirë në gadishullin e aneksuar nga Rusia më 2014, është sulmuar disa herë nga ajri që nga fillimi i luftës para më shumë se një viti. Zyrtarët rusë e kanë fajësuar Ukrainën për këto sulme.
Ushtria ukrainase nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të shtunën. Kievi pothuajse asnjëherë nuk e merr përgjegjësinë publikisht për sulmet brenda Rusisë ose në territoret e kontrolluara nga rusët në Ukrainë.
Guvernatori Razvozhaev tha se askush nuk është lënduar nga zjarri në depo.
“Situata është nën kontrollin e zjarrfikësve tanë dhe të gjitha shërbimeve operuese. Pasi vëllimi i karburantit është i madh, do të nevojitet kohë për ta lokalizuar zjarrin”- tha ai.