Dhoma e Përfaqësuesve e miraton hetimin ndaj Bidenit për ryshfet e korrupsion
Dhoma e ulët e Kongresit të ShBA-së, Dhoma e Përfaqësuesve, ka vendosur me shumicë votash që të formalizojë një hetim kundër presidentit Joe Biden për pretendimet për ryshfet e korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës së nënpresidentit në kohën e pushtetit të ish-presidentit Barack Obama.
Ligjvënësit votuan sipas vijave partiake për rezolutën për të cilën republikanët thonë se do t’u japë më shumë kompetenca për të grumbulluar dëshmi e për të zbatuar kërkesa ligjore, raporton televizioni BBC.
Tri komisione të Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequra nga republikanët opozitarë, pretendojnë për korrupsion e ryshfet gjatë ushtrimit të detyrës së nënpresidentit nga Bideni.
Megjithatë, ata ende nuk kanë paraqitur dëshmi të ndonjë shkeljeje dhe presidenti ka thënë se kundërshtarët e tij politikë po e sulmojnë me gënjeshtra.
Dhoma e kontrolluar nga republikanët me një dallim të vogël ulësesh – tetë – e miratoi hetimin të mërkurën pasdite me 221 vota “për” e 212 “kundër”.
Përmes një deklarate, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane, tha se ky organ “nuk do ta paragjykojë rezultatin e hetimit”, por se “regjistri i dëshmive është i pamundshëm për t’u shpërfillur”.
Hetimi formal, i cili çon në një votim në Dhomën e Përfaqësuesve e në një gjykim në Senat, do të mund të paraqiste "dhimbje koke" për presidentin në vitin kur mbahen zgjedhjet presidenciale.
“Populli amerikan ka nevojë që udhëheqësit e tij në Kongres të ndërmarrin veprime për prioritete të rëndësishme për vendin dhe botën. Në vend se ta kryejnë detyrën e tyre për punë urgjente që duhet të kryhet, ata po zgjedhin që të humbin kohë në këtë pengesë të pabazë politike, për të cilën madje edhe republikanët në Kongres pranojnë se nuk është e mbështetur nga fakte”- tha presidenti Biden në një deklaratë pas miratimit të hetimit ndaj tij.
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, e kishte nisur këtë hetim në shtator dhe kishte thënë se republikanët kishin nxjerrë në dritë “një kulturë të korrupsionit” që e rrethonte Bidenin.
Republikanët kanë mbajtur një seancë dëgjimore në lidhje me këtë hetim, gjatë së cilës dy dëshmitarë ekspertë të ftuar nga republikanët kanë thënë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ta hetuar presidentin.