Dhoma e lartë e parlamentit rus pritet ta miratojë aneksimin e rajoneve ukrainase - NACIONALE

Dhoma e lartë e parlamentit rus pritet ta miratojë aneksimin e rajoneve ukrainase

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Ligjvënësit e Këshillit Federal të Rusisë pritet që të martën ta votojnë aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve ukrainase.

Të hënën, dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma, i miratoi ligjet për aneksimin e territoreve ukrainase në Rusi. Asnjë ligjvënës në dhomën e ulët nuk votoi kundër aneksimit të rajoneve Zaporizhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.

Votimi u bë pavarësisht nga fakti se Rusia nuk e ka më kontrollin e plotë të asnjërës nga katër provincave ukrainase për të cilat thotë se i aneksoi javën e kaluar, pasi trupat ukrainase raportohet se avancuan dhjetëra kilometra në provincën Kherson në jug të vendit dhe shënuan fitore shtesë në lindje.

Të hënën, Kremlini gjithashtu tha se ende është duke përcaktuar se cilat zona të Ukrainës së pushtuar i ka aneksuar, duke lënë të kuptohet se as Rusia nuk di se cilët janë kufijtë e vetëshpallur të saj.

Pranimi i befasishëm i fakteve u bë në një bisedë telefonike me gazetarë, gjatë të cilës zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ballafaqua me kërkesa për të sqaruar se cilin territor ukrainas e ka pretenduar presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një ceremonie zyrtare në Kremlin javën e kaluar.

Forcat ukrainase po depërtojnë në jug

Forcat ukrainase e kanë thyer mbrojtjen ruse në jug të vendit si dhe e kanë zgjeruar ofensivën në jug, duke marrë nën kontroll territore në zonat e ankesuara nga Rusia dhe duke i vënë në rrezik linjat e furnizimit për ushtrinë ruse, raporton agjencia “Reuters”.

Forcat ukrainase në jug shkatërruan 31 tanke ruse dhe një bateri raketore, tha komanda jugore e ushtrisë, pa dhënë hollësi për vendin e saktë të luftimeve. Agjencia “Reuters” tha se nuk ka mundur që t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.

Ukraina ka bërë përparim të konsiderueshëm në dy nga katër rajonet e pushtuara, të cilat Moska javën e kaluar pretendoi se i aneksoi pas realizimit të të ashtuquajturave referendume, që nga Ukraina dhe Perëndimi janë cilësuar si të paligjshme.

Agjencia “Reuters” pa të hënën kolonë të automjeteve ushtarake ukrainase për ta përforcuar pozicionin në qytezën Liman, të marrë në fundjavë.

Të hënën, ushtria ruse pranoi se forcat ukrainase janë futur në rajonin Kherson. Forcat ruse thanë se ushtria ukrainase ka arritur “Që të depërtojë në thellësitë e mbrojtjes sonë” përreth fshatrave Zoltaya Balka dhe Alexandrovka./Nacionale

Lajme të ngjashme