Dhjetëra të vrarë nga luftimet e ashpra mes forcave siriane e besnikëve të Assadit
Forcat e lidhura me pushtetarët e rinj të Sirisë janë përfshirë në luftime të ashpra me luftëtarë besnikë ndaj ish-presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, në një zonë bregdetare të vendit.
Kjo është dhuna më e rëndë në Siri që nga koha kur rebelët e rrëzuan Assadin nga pushteti në dhjetor dhe instaluan një qeveri kalimtare, raporton televizioni BBC.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup me seli në Britani, tha se më shumë se 70 njerëz janë vrarë.
Ora policore është vendosur në qytetet bregdetare Latakia dhe Tartous, ku kanë shpërthyer luftimet.
Përleshjet filluan kur forcat qeveritare ranë në pritë gjatë një operacioni të sigurisë në Latakia.
Tashmë atje janë dërguar përforcime dhe në video të publikuara në rrjete sociale dëgjohen të shtëna intensive në disa vende.
Rajoni bregdetar sirian është zemra e pakicës Alawite dhe bastion i familjes së Assadit.
Vlerësimet rreth njerëzve të vrarë në përleshje dallojnë dhe televizioni BBC nuk ka arritur që t’i vërtetojë ato në mënyrë të pavarur.
Të enjten vonë, agjencia e lajmeve me seli në Siri, “Step”, raportoi se forcat e rreshtuara me autoritetet kishin vrarë “rreth 70” luftëtarë të ish-regjimit, ndërsa më shumë se 25 të tjerë u kapën në qytetin Jableh dhe përreth tij.
Ka pasur raportime për përleshje edhe në qytetet Homs e Aleppo.
Kolonel Hassan Abdul Ghani, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, përmes mediave shtetërore lëshoi një paralajmërim për besnikët e Assadit që po luftonin në Latakia.
“Mijëra kanë zgjedhur që t’i dorëzojnë armët e tyre e t’u kthehen familjeve, ndërsa disa këmbëngulin që të ikin e të vdesin në mbrojtje të vrasësve e kriminelëve. Zgjedhja është e qartë: ulini armët ose ballafaqohuni me fatin tuaj të pashmangshëm” – tha ai./Nacionale