Dhjetëra kuti me materiale naziste gjenden në bodrumin e Gjykatës Supreme të Argjentinës
Dhjetëra kuti me materiale naziste të konfiskuara nga autoritetet argjentinase gjatë Luftës së Dytë Botërore u zbuluan rishtazi në bodrumin e Gjykatës Supreme të Argjentinës, tha kjo gjykatë të dielën.
83 kutitë ishin dërguar nga ambasada gjermane në Tokio për në Argjentinë në qershorin e vitit 1941 përmes anijes “Nan-a-Maru”, sipas historisë që gjykata ka arritur ta ndërtojë, thuhet në një deklaratë, raporton televizioni CNN.
Në atë kohë, dërgesa e madhe e kishte marrë vëmendjen e autoriteteve, të cilat kishin frikë se përmbajtja e kutive mund ta prekte neutralitetin e Argjentinës në konfliktin e madh botëror.
Pavarësisht pretendimeve të asaj kohe nga përfaqësuesit diplomatikë gjermanë se në kuti ndodheshin gjësende personale, autoritetet doganore të Argjentinës kishin kontrolluar pesë kuti të përzgjedhura në mënyrë rastësore.
Autoritetet kishin gjetur pulla postare, fotografi e materiale propaganda nga regjimi nazist, si dhe mijëra fletore që i përkisnin Partisë Naziste. Një gjykatës federal kishte dhënë urdhër për konfiskimin e materialeve dhe çështjen e kishte referuar në Gjykatën Supreme.
Nuk ishte menjëherë e qartë se pse ato gjësende ishin dërguar në Argjentinë dhe çfarë veprimesh kishte ndërmarrë Gjykata Supreme atë kohë.
Tetëdhjetë e katër vjet më vonë, stafi i gjykatës hasi përsëri në këto kuti, përderisa po përgatiste një muze të Gjykatës Supreme.
“Me ta hapur njërën nga kutitë, ne identifikuam material që e kishte për qëllim konsolidimin dhe propagandimin e ideologjisë së Adolf Hitlerit në Argjentinë gjatë Luftës së Dytë Botërore” – tha gjykata.
Gjykata tashmë i ka dërguar kutitë në një dhomë që ka masa shtesë të sigurisë dhe e ka ftuar Muzeun e Holokaustit në Buenos Aires që të marrë pjesë në ruajtjen dhe inventarizimin e tyre.
Ekspertët gjithashtu do t’i ekzaminojnë kutitë për ndonjë të dhënë rreth aspekteve ende të panjohura të Holokaustit, si rrjetet ndërkombëtare të financimit që janë përdorur nga nazistët.
Argjentina qëndroi neutrale në Luftën e Dytë Botërore deri më 1944, kur i ndërpreu marrëdhëniet me fuqitë e bllokut nazist. Vitin pasues, Argjentina u kishte shpallur luftë Gjermanisë dhe Japonisë.
Nga viti 1933 e deri më 1954, sipas Muzeut të Holokaustit, 40 mijë hebrenj kishin hyrë në Argjentinë, përderisa po iknin nga përndjekja naziste në Evropë. Argjentina është shteti që ka më së shumti hebrenj në Amerikën Latine./Nacionale/Nasuf Abdyli