Detari francez mbijeton 16 orë në barkën e përmbytur në Atlantik - NACIONALE

Detari francez mbijeton 16 orë në barkën e përmbytur në Atlantik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një detar 62-vjeçar francez mbijetoi 16 orë në det duke përdorur një kupac me ajër brenda barkës, pasi mjeti u përmbys.

Barka 12-metërshe, e cila ishte nisur nga kryeqyteti portugez, Lisbona, dërgoi sinjal për ndihmë të hënën në mbrëmje nga Oqeani Atlantik.

Rojat bregdetare spanjolle e gjetën barkën e kthyer mbrapsht, por deti ishte shumë i trazuar për ta shpëtuar detarin. Ai u detyrua që të priste deri në mëngjes.

Mbijetesa e detarit ishte “në kufi të së pamundurës”, thanë zhytësit e rojës bregdetare.

Barka e tij dërgoi sinjal për ndihmë në orën 20 e 23 minuta të hënën, 22.5 kilometra nga Ishujt Sisargas, afër rajonit veriperëndimor spanjoll të Galicisë.

Një anije shpëtimi me pesë zhytës si dhe tre helikopterë u nisën për ta gjetur dhe për ta shpëtuar francezin, emri i të cilit nuk është publikuar ende.

Një zhytës u lëshua mbi barkën e kthyer mbrapsht për të kërkuar shenja jete dhe detari u përgjigj duke bërë goditje nga brendësia e barkës.

Deti ishte i trazuar dhe dielli kishte perënduar, prandaj ekipi shpëtues i ngjiti barkës balona kundër përmbysjes dhe pritën deri në mëngjes.

Të nesërmen, dy zhytës u futën nën barkë për ta ndihmuar detarin që të dilte. Ai kishte veshur rroba për mbijetesë dhe ishte i zhytur në ujë deri në gjunjë.

Vicente Cobelo, anëtar i ekipit për operacione special në rojën bregdetare spanjolle, tha se detari ishte futur në ujë me nismën e vet.

Francezi u mor me helikopter nga ekipi i shpëtimit dhe u dërgua shkurtazi në spital për t’ia kontrolluar gjendjen shëndetësore./Nacionale

Lajme të ngjashme