“Despoti” Trump e uron dhe e përgëzon “komunistin” Mamdani – i lënë anash fyerjet, bëhen gojëmjaltë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e priti të premten në Shtëpinë e Bardhë kryetarin e ri të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani. Dy politikanët i lanë për një çast anash dallimet dhe u treguan “diplomatë” para gazetarëve.
“Sa më mirë që ia del, aq më i lumtur jam” – tha Trumpi, duke iu referuar atij që para disa ditëve e kishte quajtur “komunist”.
Në anën tjetër, “komunisti” Mamdani tha se pati një takim “produktiv” me presidentin që më parë e kishte quajtur “despot”.
“Unë e çmova takimin me presidentin, siç thashë, ishte një takim produktiv i përqendruar në një vend të admirimit dhe dashurisë së përbashkët, qytetit të Nju-Jorkut” – tha Mamdani, raporton televizioni CNN.
Trumpi e uroi Mamdanin për fitoren në zgjedhje para gazetarëve pas takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura.
Donald Trump praised Mamdani and said “there’s no difference in party, there’s no difference in anything” and that “we’re going to be helping him”. https://t.co/uvpbKNjTvJ pic.twitter.com/HtBB6VGC17
— AdmiralPory (@AdmiralPory) November 21, 2025
Para fitores së Mamdanit, Trumpi kishte kërcënuar se do t’ia ndalte fondet federale Nju-Jorkut, nëse politikani që e uroi të premten do ta fitonte garën.
“Porsa patëm një takim të mrekullueshëm, një takim vërtet të mirë, shumë produktiv” – tha Trumpi i ulur në karrige, ndërsa Mamdani po qëndronte në këmbë, pranë krahut të tij të djathtë.
“Një gjë e përbashkët – ne duam që ky qyteti ynë, që ne e duam, t’ia dalë mbanë shumë mirë” – shtoi presidenti amerikan.