Dëshmitarja e sulmit në Rusi: Fillimisht mendova se ishin fishekzjarrë
Një grua që ndodhej afër sallës ku u vranë mbi 130 persona të premten mbrëma në Rusi ka thënë se fillimisht kishte menduar se po hidheshin fishekzjarrë, kur i kishte dëgjuar të shtënat.
Gruaja ishte bashkë me vajzën e saj 11-vjeçare duke blerë akullore në një kafene afër hyrjes së sallës, kur ato e dëgjuan zhurmën dhe dikush tha me zë të lartë që të shtriheshin në dysheme, raporton televizioni BBC.
“Ne nxituam te fëmijët, u shtrimë dhe filluam që të vendosnim barrikada nga tavolinat e karriget dhe disa persona të plagosur erdhën duke vrapuar te ne” – i tha ajo shërbimit në gjuhën ruse të BBC-së.
Brenda sallës, koncerti pritej të fillonte pas pak minutash dhe disa menduan se zhurma mund të ishte pjesë e aktit.
Sofiko Kvirikashvili e dëgjoi atë që fillimisht mendoi se ishte “një lloj i shpërthimit të pafundmë të fishekzjarrëve”. “U ktheva një herë në sallë, pastaj përsëri. Herën e tretë, mora vesh se të gjithë në sallë kishin filluar që të iknin me vrap në të gjitha drejtimet” – shtoi dëshmitarja.
Dave Primov, fotograf, tha se ndodhi një shtypje dhe skenë paniku. Disa në sallë u munduan që të shtriheshin mes ulëseve, por pasi disa sulmues hapnin zjarr, ky veprim ofroi pak mbrojtje.
Ata që ishin në pjesën e audiencës dhe që kishin mundësi, u nisën drejt skenës. Të tjerë u munduan që të gjenin dalje në pjesë më të larta të sallës, por gjetën disa dyer të mbyllura me çelës.
Dëshmitarët than ë se në sallë kishte edhe të moshuar e fëmijë.