Dëshmitarët: Ushtarët e Mianmarit u dhanë të ndaluarve urinë për të pirë, vranë të paktën 50
Së paku 50 njerëz u vranë nga ushtarët e Mianmarit gjatë një bastisjeje në një fshat të shtetit Rakhine javën e kaluar, thanë banorët lokalë dhe forcat opozitare.
Dëshmitarët i thanë televizionit BBC se fshati u ballafaqua për dy ditë e gjysmë me terror, pasi ushtarët ua lidhën sytë dhe i rrahën, u hodhën benzinë që po digjej në lëkurë dhe detyruan disa prej tyre që t’ua pinin urinën.
Ushtarët ishin në kërkim të përkrahësve të Ushtrisë Arakan (AA), e cila është bërë njëra nga forcat luftarake etnike më efikase në shtetin e largët.
Pesëdhjetë e një persona të moshës 15 deri 70-vjeçare “u torturuan në mënyrë të dhunshme dhe u vranë”, tha Qeveria e Unitetit Kombëtar, që e përfaqëson qeverinë e rrëzuar civile. Ushtria Arakan vlerësoi se numri i të vdekurve mund të jetë mbi 70.
Këshilli ushtarak në pushtet i ka mohuar akuzat, të cilat do të përbënin njërën nga mizoritë më të rënda që janë kryer në luftën civile trevjeçare në Mianmar.
“Ata i pyetën burrat nëse AA-ja ishte në këtë fshat. Cilado që ishte përgjigjja që e jepnin, qoftë nëse thoshin që AA-ja ishte apo nuk ishte ose që nuk e dinin, ushtarët i godisnin” – i tha një grua BBC-së.
Për vetëm gjashtë muaj, AA-ja është shpërndarë në shumicën e shtetit Rakhine, duke e detyruar ushtrinë që t’i vazhdojë tërheqjet. AA-ja i dha fund një armëpushimi me ushtrinë vitin e kaluar dhe iu bashkua kryengritësve etnikë në pjesë të tjera të vendit gjatë një operacioni të kombinuar me qëllim të rrëzimit të ushtrisë nga pushteti, ku ndodhet nga shkurti i vitit 2021.
“E pashë me sytë e mi burrin tim duke u marrë me një automjet ushtarak. Djali ynë u nda nga ne të dy dhe nuk di se ku është. Nuk di nëse djali dhe burri im janë gjallë apo të vdekur” – shtoi gruaja.
Emrat e dëshmitarëve nuk do të publikohen për t’i mbrojtur. Ata i thanë BBC-së se të gjithë njerëzit e fshatit, ku jetojnë pak më shumë se një mijë familje, u lanë në mjedis të hapur për dy ditë, në diell, me pak ushqim ose pije, ndërsa dhjetëra burra u lidhën, iu lidhën sytë dhe disa u morën me kamionë për t’u marrë në pyetje. Shumë nuk janë kthyer ende.
“Ata ishin shumë të etur, duke qëndruar tërë ditën në diell, dhe përgjëroheshin për ujë, por ushtarët urinuan në shishe uji dhe ua dhanë burrave” – tha më tej dëshmitarja.
Ajo tha se dëgjoi “shumë të shtëna”, por nuk pa se kush u qëllua, “sepse duhej ta mbanim kokën ulur”. “Nuk guxoja të shikoja. Ata thirrën dikë që po qëndronte afër meje, pastaj dëgjova një të shtënë. Ai nuk u kthye kurrë.”
Të mbijetuarit thanë se mund t’i dëgjonin ushtarët duke kërkuar lopata për t’i varrosur trupat. Ata thonë se disa prej ushtarëve ishin qartazi të dehur.
Besohet se më shumë se 100 ushtarë e kishin bastisur fshatin Byai Phyu, që ndodhet afër kryeqytetit rajonal, Sittwe./Nacionale