Dërgesat gjermane të armëve të rënda arrijnë në Ukrainë
Tanket nga Gjermania tashmë kanë mbërritur dhe janë në përdorim në Ukrainë, ka njoftuar ministri gherman i Mbrojtjes, pasi Berlini ishte kritikuar për vonesë në dorëzimin e armëve.
“Tanket Panzerhaubitze 2000 janë më në fund pjesë e arsenalit të obusit 155 mm të artilerisë ukrainase", shkroi në Twitter ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov përpara se të falënderonte homologen e tij gjermane, Christine Lambrecht, për përpjekjet dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.
Lambrecht kishte premtuar dorëzimin e shtatë obuseve në fillim të majit, ndërsa Holanda ishte vendosur të dërgonte edhe pesë të tjerë.
Reznikov vlerësoi dërgesën si "një shembull të bashkëpunimit ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës".
Lajmi vjen pasi kancelari Olaf Scholz dhe qeveria e tij ishin sulmuar vazhdimisht për shkak vonesave në përmbushjen e premtimeve të tij për armë të rënda për Ukrainën. Edhe me obuset e dorëzuara, disa dërgesa armësh që Berlini i ka premtuar Kievit janë ende të pazgjidhura, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketahedhësit.
Ambasadori i Kievit në Berlin, Andriy Melnyk, i tha agjencisë gjermane të shtypit (dpa) se armët kishin mbërritur në Ukrainë, ndërsa ministria gjermane e mbrojtjes refuzoi ta konfirmonte.
Kjo qasje e fshehtë ndaj dërgesave të armëve ka qenë linja dominuese e qeverisë gjermane. Megjithatë, të martën, qeveria publikoi një listë të të gjitha armëve dhe pajisjeve ushtarake të dorëzuara ose që do t'i dorëzohen Ukrainës.