Deputetja ruse thotë se Perëndimi po e “nguc arushën” me sulmin ukrainas në Rusi - NACIONALE

Deputetja ruse thotë se Perëndimi po e “nguc arushën” me sulmin ukrainas në Rusi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja ruse, Maria Butina, tha të mërkurën se Perëndimi është i përfshirë në hyrjen e trupave ukrainase në territorin sovran rus dhe kështu “po e nguc arushën” në një eskalim të rrezikshëm.

Shtetet e Bashkuara dhe mbështetës të tjerë perëndimorë të Ukrainës kanë mohuar se ishin të njoftuar paraprakisht për sulmin dramatik ndaj rajonit Kursk të Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.

“Natyrisht se ata janë të përfshirë. Kur unë studioja në Shtete të Bashkuara, rregulla kryesore ishte: “Mos e nguc arushën.” Çfarë është duke bërë Perëndimi sot? Ata po e ngucin arushën” – i tha ajo agjencisë “Reuters”, kur u pyet nëse Perëndimi është i përfshirë në sulmin e Ukrainës në territorin rus.

Butina, e cila për 15 muaj ishte mbajtur në një burg në ShBA për veprim si agjente e paregjistruar ruse dhe tani ligjvënëse e partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, tha se sulmi ndaj Rusisë është akt i “terrorizmit ndërkombëtar”, pasi ishte sulmuar infrastruktura civile.

“Ata mundohen që të bëjnë një akt të imazhit publik mbi gjak, duke i përdorur forcën ushtarake dhe terrorizmin dhe kjo nuk është mënyra për të negociuar” – tha Butina në gjuhën angleze.

“Kundërpërgjigjja jonë duhet të jetë në fushën ushtarake, që do të thotë sot që të detyrohen forcat ukrainase për t’u larguar dhe për ta vënë përgjegjësinë mbi ata që vërtet janë përgjegjës për detyrimin dhe eskalimin e këtij konflikti – ky është Perëndimi” – shtoi ajo.

Lajme të ngjashme