Deputetja ruse thotë se Bideni po rrezikon për luftë të tretë botërore me vendimin për raketat
Deputetja ruse, Maria Butina, tha të hënën se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po rrezikon që ta shkaktojë luftën e tretë botërore, nëse e lejon Ukrainën që të përdorë armë të prodhimit amerikan për të sulmuar thellë brenda Rusisë.
“Këta djem, administrata e Bidenit, po mundohen që ta eskalojnë situatën në maksimum përderisa kanë ende fuqi dhe ende ndodhen në pushtet” – i tha Butina agjencisë së lajmeve “Reuters”.
“Unë kam shpresë të madhe që Trumpi do ta tejkalojë këtë vendim, nëse ky është marrë, sepse ata po rrezikojnë seriozisht për luftë të tretë botërore, që nuk është në interesin e askujt” – shtoi ajo.
“Ma merr mendja se janë disa njerëz në Shtetet e Bashkuara që nuk kanë asgjë për të humbur për çfarëdo arsyeje ose që janë tërësisht jashtë rrjetit, aq shumë saqë thjesht nuk mërziten” – tha deputetja ruse, e cila është mbajtur për 15 muaj në një burg amerikan për veprim si agjente e paregjistruar ruse dhe tani është ligjvënëse nga radhët e partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Agjencia “Reuters”, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim të afërt me vendimin, raportoi të dielën se “administrata e Bidenit e ka marrë vendimin” që ta lejojë Ukrainën për të bërë sulme me armë amerikane thellë në Rusi.
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, gjithashtu raportoi se administrata e Bidenit e kishte marrë këtë vendim. Kremlini ende nuk i ka komentuar raportimet.
Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte thënë më 12 shtator se miratimi i një hapi të tillë nga Perëndimi do të nënkuptonte “përfshirje të drejtpërdrejtë” të vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve evropiane në luftën e Ukrainës”, sepse infrastruktura dhe personeli ushtarak i NATO-s do të duhej të përfshiheshin në shënjestrimin dhe shkrepjen e raketave.
Në fundin e tetorit, kreu i Kremlinit tha se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ishte duke punuar rreth mënyrave të ndryshme për t’u kundërpërgjigjur, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s do ta ndihmonin Ukrainën për të sulmuar thellë brenda Rusisë me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi./Nacionale