Deputetët gjermanë e vënë në pikëpyetje fondin urgjent për pagat e palestinezëve
Një pagesë e njëhershme prej 30 milionë eurosh për Autoritetin Palestinez, të cilën Gjermania shpresonte ta njoftonte javën e ardhshme për të përkuar me njohjen formale të një shteti palestinez nga aleatët evropianë është duke u mbajtur pezull nga disa ligjvënës skeptikë, raporton gazeta gjermane “Bild”.
Kjo pagesë është planifikuar për t’u siguruar që pagat e mësuesve dhe punonjësve shëndetësorë të mund të paguheshin me kohë, kur Izraeli, i cili i mbledh të hyrat nga dogana dhe importi në emër të Autoritetit Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar në disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor, po i mban pezull mjetet. Autoriteti Palestinez thotë se Izraeli është duke mbajtur rreth 3 miliardë dollarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Për pagesën emergjente ishte arritur pajtimi i ministres së Zhvillimit, Reem Alabi Radoban, gjatë një vizite në Lindjen e Mesme më herët këtë muaj dhe fondi përkrahet edhe nga kancelari Friedrich Merz, edhe nga zëvendësi i tij, Lars Klingbeil.
Megjithatë, Alexander Hoffman, ligjvënës konservator, i tha gazetës gjermane se anëtarët e komisionit parlamentar për buxhetin kishin shqetësime për këtë pagesë, e cila duhet të miratohet nga ta.
“Na duhet më shumë qartësi. Ndihma humanitare është e rëndësishme, por duhet të jetë e qartë se çfarë projektesh financohen... Projektet që e rrezikojnë sigurinë e Izraelit duhet të përjashtohen qartazi” – tha ai.
Sidoqoftë, zyrtarët thanë se këto mjete me gjasë do të transferohen porsa të adresohen shqetësimet e ligjvënësve.
Qeveria gjermane thotë se ky fond nevojitet për paga për shkak të situatës së rëndë ekonomike në zonën e Autoritetit Palestinez që nga fillimi i luftës në Gaza.