Deputetët francezë votojnë të mërkurën për rrëzimin e Qeverisë
Deputetët francezë do të votojnë të mërkurën në mbrëmje në një mocion mosbesimi me të cilin është pothuajse e sigurt se do të rrëzohet Qeveria e kryeministrit Michel Barnier, duke e thelluar krizën politike në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës.
Kjo do të ishte qeveria e parë franceze që rrëzohet nga pushteti përmes një mocioni të mosbesimit në më shumë se 60 vjet, në një kohë kur vendi po ballafaqohet me vështirësi për të zbutur deficit masiv buxhetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Debati është caktuar që të nisë në orën 16:00 të mërkurën, ndërsa procesi i votimit pritet të zhvillohet rreth tri orë më vonë, thanë zyrtarët e Kuvendit. Presidenti Emmanuel Macron, që ndodhet për vizitë shtetërore në Arabinë Saudite, pritet të kthehet në vend të mërkurën.
Pas disa javëve me tensione, kriza politike e arriti kulmin, kur Barnieri, i cili është kryeministër vetëm qe tre muaj, tha se do ta çonte përpara pjesën e buxhetit për siguri sociale pa votat e deputetëve, pasi kishte dështuar që ta siguronte përkrahjen nga partia e së djathtës ekstreme e zonjës Marine Le Pen.
E majta dhe e djathta kanë vota të mjaftueshme për ta rrëzuar Barnierin dhe Le Peni ka konfirmuar se partia e saj do ta votojë mocionin e mosbesimit të paraqitur nga aleanca majtiste.
Ministri i Financave, Antoine Armand, i tha televizionit “France 2 TV” se politikanët kanë përgjegjësi që “të mos e fusin vendin në pasiguri”.