Dënohet me burgim të gjatë nga GjNP-ja për krime në Sudan Ali Muhammad Ali Abd–Al-Rahman
Gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) të martën e dënuan me 20 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit një ish-udhëheqës së grupit të frikshëm militant sudaneze, Janjaweed, gjatë konfiktit katastrofal në Darfur të Sudanit para më shumë se dy dekadave.
Në një seancë të mbajtur muajin e kaluar, prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Ali Muhammad Ali Abd-Al-Rahman, i cili më 27 tetor ishte shpallur fajtor për akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit, ku përfshiheshin ekzekutimet masive dhe goditjen për vdekje të dy të të burgosurve me sëpatë më 2003-2004, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Ai i kreu këto krime me vetëdije, me vullnet dhe, siç tregojnë dëshmitë, me entuziazëm dhe vrull” – tha para gjykatësve në nëntor prokurori Julian Nicholls.
Abd-Al-Rahman, tashmë 76-vjeçar, qëndroi dhe dëgjoi, por nuk shfaqi ndonjë reagim, përderisa gjykatësja Joanna Korner po e shqiptonte dënimin.
Zyra prokuroriale e gjykatës tha se stafi i saj do ta analizonte vendimin dënues për të vendosur nëse do të ndërmerrte veprime të mëtejme. Kjo zyrë mund ta apelojë dënimin dhe ta përtërijë kërkesën për dënim me burgim të përjetshëm.
Më tej, zyra tha se e merr parasysh numrin e madh të viktimave, ku përfshihen të paktën 213 njerëz të vrarë, përfshirë fëmijë, dhe 16 gra e vajza që ishin viktima të përdhunimeve.
Gjykata Ndërkombëtare Penale dënimin më të lartë e ka me 30 vjet burgim, por gjykatësit e kanë diskrecionin për ta ngritur atë deri në dënim me burgim të përjetshëm në raste tepër të rënda. Koha e mbajtjes së të dënuarit në paraburgim para dhe gjatë gjykimit do të llogaritet në kohën e dënimit.