Dënohet me pesë vjet burgim ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy
Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është dënuar me pesë vjet burgim, pasi u shpall fajtor për komplot kriminal në një rast të lidhur me miliona euro fonde të paligjshme nga ish-udhëheqësi tashmë i ndjerë libian, Muammar Gaddafi.
Gjykata penale e Parisit e liroi atë nga të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës, raporton televizioni BBC.
Sarkozy, i cili pretendon se rasti kundër tij është i motivuar politikisht, akuzohej se i kishte përdorur fondet nga Gaddafi për ta financuar fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007.
Në këmbim, prokurorët thonë se Sarkozy i kishte premtuar Gaddafit ndihmë për ta luftuar imazhin si njeri i lëçitur nga vendet perëndimore.
Sarkozy, tashmë 70 vjeç, shërbeu si president i Francës nga viti 2007 deri më 2012.
Gjykatësja Nathalie Gavarino tha se Sarkozy i kishte lejuar ndihmësit e afërt që të kontaktonin zyrtarë libianë me synimin për të siguruar mbështetje financiare për fushatën e tij.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se nuk ka prova të mjaftueshme që të konkludohet se Sarkozy ka qenë përfitues i financimit të paligjshëm të fushatës.
Përpos dënimit me pesë vjet burgim, ndaj ish-presidentit francez u shqiptua edhe një gjobë financiare në shumën e 100 mijë eurove.
Sarkozy mund të dërgohet në burg në Paris ditëve në vijim – hera e parë për një ish-president francez dhe goditje turpëruese për një figurë që gjithmonë ka pretenduar se është i pafajshëm gjatë këtij gjykimi dhe në raste të tjera gjyqësore ndaj tij.
Hetimi kishte filluar në vitin 2013, dy vjet pasi Saif al-Islam, i biri i udhëheqësit të atëhershëm libian, së pari e kishte akuzuar Sarkozyn për marrje të milionave nga paratë e babait të tij për financim të fushatës./Nacionale