Dënohet me burgim të përjetshëm afgani që e vrau vjet policin në Manheim të Gjermanisë - NACIONALE

Dënohet me burgim të përjetshëm afgani që e vrau vjet policin në Manheim të Gjermanisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë afgan, që dyshohej se kishte motive islamiste, u dënua të martën me burgim të përjetshëm nga një gjykatë gjermane për sulmin me thikë ku kishte mbetur i vrarë një polic dhe ishin lënduar pesë të tjerë në një tubim kundër Islamit vitin e kaluar.

Vendimi i gjykatës vjen në kohën e debatit të nxehur rreth imigrantëve dhe sigurisë në Gjermani dhe pas rritjes së madhe të mbështetjes për partinë e së djathtës ekstreme, AfD, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

I akuzuari, i identifikuar si Sulaiman A., u shpall fajtor për përdorimin e një thike të madhe gjahu për të sulmuar njerëz në një protestë në qytetin Manheim, e cila ishte organizuar nga grupi kundër Islamit, “Pax Europa”, në majin e vitit të kaluar.

Sulaiman A. sulmoi një folës në protestë dhe disa protestues para se të therte një polic që kishte ndërhyrë për ta ndalur sulmin. Polici më vonë nuk u mbijetoi plagëve.

Sulmuesi ishte dërguar në paraburgim në qershorin e vitit të kaluar, pasi kishte dalë nga kujdesi intensive për lëndimet që i kishte pësuar gjatë arrestimit.

Edhe pse prokurorët kanë thënë se ai kishte simpati për grupin ISIS, i akuzuari nuk është gjykuar si terrorist. Ai ngarkohej me një akuzë për vrasje dhe pesë akuza për vrasje në tentativë./Nacionale

Lajme të ngjashme