Dënohen me vdekje në Kongo 26 pjesëtarë të grupeve të armatosura
Një gjykatë ushtarake në Republikën Demokratike të Kongos ka dënuar me vdekje 26 persona të akuzuar për përfshirje në grupe të armatosura, përfshirë grupin M23, pas një gjykimi të profilit të lartë që kishte nisur në fund të muajit të kaluar.
Corneille Nangaa, kryetar i grupit “Aleanca Fleuve Kongo” (AFC), u shpall fajtor për krime lufte, pjesëmarrje në kryengritje dhe tradhti ndaj atdheut, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Nangaa dhe 20 të pandehur të tjerë u dënuan në mungesë me vdekje të enjten, pasi tash për tash ndodhen në arrati.
Pesë të akuzuarit që ishin të pranishëm në gjykim kanë pesë ditë afat për ta apeluar dënimin, tha kryetari i gjykatës.
Prokurori i rastit, që kishte nisur më 24 korrik, e kishte kërkuar shqiptimin e dënimit me vdekje për 25 prej të pandehurve, ndërsa 20 vite burgim për një të pandehur.
Nangaa, ish-kryetar i komisionit zgjedhor të Kongos, në dhjetor e themeloi lëvizjen ushtarako-politike AFC me qëllim të bashkimit të grupeve të armatosura, partive politike dhe shoqërisë civile kundër Qeverisë.
Njëri prej anëtarëve të lëvizjes është grupi i armatosur M23, i akuzuar për vrasje masive në konfliktin e gjatë me dekada në lindje të Kongos.
Në një mesazh nga një vend i pazbuluar, Nangaa i tha agjencisë “Associated Press” se “kjo sagë e neveritshme e përforcon përpjekjen tonë për normalitet demokratik në Kongo”.
Në mars, Qeveria e Kongos i sfidoi kritikat nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe shfuqizoi një moratorium për dënimin me vdekje, që kishte qenë në fuqi nga viti 2003, me synimin që të vinte në shënjestër pjesëtarë të personelit ushtarak të akuzuar për tradhti ndaj atdheut./Nacionale