Dënohen me burgim të gjatë ish-presidenti i Perusë Humala dhe gruaja e tij
Ish-presidenti i Perusë, Ollanta Humala, është shpallur fajtor për pastrim parash dhe është dënuar me 15 vjet burgim.
Një gjykatë në kryeqytetin Lima tha se Humala kishte pranuar fonte të paligjshme nga kompania braziliane e ndërtimit, “Odebrecht”, për t’i mbështetur fushatat e tij zgjedhore më 2006 dhe 2011, raporton televizioni BBC.
Bashkëshortja e tij, Nadine Heredia, e cila e ka bashkëthemeluar Partinë Nacionaliste me Humalan, gjithashtu u shpall fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 15 vjet burgim.
Heredias i është dhënë azil nga Brazili dhe do të ketë kalim të sigurt në këtë shtet bashkë me të birin e saj, tha Ministria e Jashtme e Perusë.
Prokurorët kishin kërkuar që Humala të dënohej me 20 vjet burgim, ndërsa Heredia me 26 vjet e gjysmë.
Pas një gjykimi që zgjati për më shumë se tre vjet, gjykata e mori vendimin e shumëpritur të martën. Humala mori pjesë në seancë fizikisht, ndërsa bashkëshortja e tij përmes video-lidhjes.
Ish-presidenti 62-vjeçar dhe gruaja e tij kanë mohuar se kanë bërë ndonjë shkelje. Sidoqoftë, prokurorët i akuzuan ata se kishin pranuar miliona dollarë nga kompania “Odebrecht”.