Delegacioni izraelit prapë në Paris për bisedime, raportohet për zbutje të kërkesave nga Hamasi - NACIONALE

Delegacioni izraelit prapë në Paris për bisedime, raportohet për zbutje të kërkesave nga Hamasi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kabineti i luftës në Izrael votoi të enjten për të dërguar një delegacion në Paris të premten për bisedime rreth një marrëveshjeje të mundshme për lirimin e pengjeve dhe armëpushim në luftën me Hamasin në Gaza.

Vendimi i pakonfirmuar, por për të cilin u raportua gjerësisht, me gjasë sinjalizon se Izraeli beson se përparimi për një marrëveshje është ende i mundshëm, mes raportimeve se Hamasi mund të jetë i gatshëm për t’i zbutur kërkesat që janë refuzuar nga pala izraelite, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas televizionit “Channel 12”, kabineti i luftës në mënyrë të njëzëshme e miratoi dërgimin e një ekipi në Paris, të udhëhequr nga drejtori i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, për të zhvilluar bisedime gjatë fundjavës. Katari, Egjipti dhe ShBA-ja janë duke ndërmjetësuar një marrëveshje të mundshme për lirimin e mbi 130 pengjeve që besohet se po mbahen ende nga Hamasi që nga sulmi i këtij grupi në Izrael më 7 tetor vitin e kaluar.

Vendimi erdhi, pasi zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Brett McGurk, zhvilloi bisedime në Izrael me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Bisedimet u përqendruan rreth negociatave për marrëveshje.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, i përshkroi si “konstruktive” diskutimet me bashkërenduesin e Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, duke shtuar se Uashingtoni mbetet plotësisht i përkushtuar për të bërë gjithçka që është e mundshme për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve në këmbim të një pauze të zgjatur në luftime.

ShBA-ja ka bërë presion për një marrëveshje, duke shpresuar se do të parandalojë një sulm të planifikuar izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku rreth një milion banorë të zhvendosur të enklavës janë duke u strehuar. Uashingtoni bllokoi me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë javë, me të cilën do të kërkohej armëpushim i menjëhershëm, duke thënë se kjo lëvizje do të ndërhynte në përpjekjet për të arritur armëpushim.

“Edhe pse mbeten boshllëqe, elementet kyçe janë mbi tavolinë” – tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, duke shtuar se marrëveshja mbetet mundësia më e mirë për lirimin e pengjeve dhe për një pauzë të qëndrueshme që do ta mundësonte arritjen e ndihmave jetëshpëtuese te civilët palestinezë.

Në kushtet e përgjithshme të kornizës së propozuar përfshihet një pauzë për të paktën gjashtë javë në luftime dhe lirimi i mbi 130 pengjeve që ishin kapur më 7 tetor e që po mbahen ende në Gaza. Izraeli beson se të paktën 30 prej tyre tashmë kanë vdekur.

Këtë javë, ndërmjetësuesit kanë bërë një shtytje të re për ta thyer ngërçin, pasi udhëheqësi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, arriti në Kajro të martën për bisedime. Një ditë më pas, gazeta saudite “Asharq Al-Awsat” raportoi se “Hamasi i ka zbutuar pozicionet e tij”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme