Del anketa e re e “Reuters”-it, rezultatet duhet ta shqetësojnë Bidenin
Ish-presidenti amerikan dhe favoriti për t’u bërë i nominuar i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në ShBA, Donald Trump, prin me 6 për qind kundër presidentit aktual të ShBA-së, Joe Biden, sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters” dhe kompanisë hulumtuese “Ipsos”.
Sipas rezultatit të anketës me 1.250 persona të rritur në ShBA, Trumpi gëzon 40 për qind përkrahje, ndërsa Bideni 34 për qind. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve nuk ishin të sigurt se për kë do të votojnë ose po planifikonin të votonin dikë tjetër ose nuk do të votojnë fare. Anketa ka hapësirë gabimi prej tre për qind, raporton agjencia “Reuters”.
Këto të dhëna paraqesin fitore për Trumpin pas një ankete tjetër të agjencisë “Reuters” e kompanisë “Ipsos” më herët këtë muaj, kur të dy kandidatët kishin marrë përkrahje të barabartë, edhe pse në sondazhin e realizuar në mbarë vendin nuk përfshihen hollësitë e garës për kolegjin zgjedhor, që do të vendosen këtë vjeshtë në pak shtete me garë më të fortë.
Përderisa Trumpi e mposhti bindshëm të martën kundërkandidaten e vetme brenda partisë në New Hampshire, Nikki Haley, rreth 67 për qind e pjesëmarrësve në anketën e reaziluar nga e hëna deri të mërkurën thanë se ishin “lodhur duke i parë kandidatët e njëjtë në zgjedhje presidenciale dhe duan dikë të ri”. 18 për qind e pjesëmarrësve thanë se nuk do të votojnë, nëse në garë janë Bideni e Trumpi.
Epërsia e Trumpit prej 6 për qind nuk u zvogëlua, as kur pjesëmarrësve iu dha opsioni për të votuar kandidatë të tjerë, përfshirë aktivistin kundër vaksinave, Robert F. Kenney Jr.
Pak më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në anketë thanë se nuk janë të kënaqur me sistemin dypartiak të ShBA-së, ndërsa vetëm një e katërta e tyre thanë se janë të kënaqur me të.
Shtatëdhjetë për qind e pjesëmarrësve – përfshirë rreth gjysmën e demokratëve – u pajtuan me deklaratën që Bideni nuk duhet të kërkojë mandat të ri. 56 për qind e njerëzve që morën pjesë në anketë thanë se Trumpi nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje, përfshirë rreth një të tretën e republikanëve.
Tre të katërtat e pjesëmarrësve në sondazh u pajtuan me deklaratën se Bideni është tepër i moshuar për të punuar në qeveri, ndërsa rreth gjysma e pjesëmarrësve e thanë të njëjtën gjë për Trumpin, i cili në moshën 77-vjeçare gjithashtu do të ishte në mesin e presidentëve më të vjetër të ShBA-së, nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Pak më shumë se gjysma e pjesëmarrësve demokratë në anketë e shohin Bidenin si shumë të moshuar, ndërsa një e treta e republikanëve e kanë këtë mendim për Trumpin.
Pavarësisht nga pakënaqësia e votuesve për moshën e kandidatëve që pritet të ballafaqohen përsëri, pjesëmarrja në zgjedhje mund të jetë e lartë, pjesërisht për shkak se votuesit e të dyja partive janë shumë të motivuar për ta mposhtur palën tjetër.
59 për qind e pjesëmarrësve në anketë që thanë se do ta votojnë Bidenin deklaruan se janë të motivuar kryesisht nga kundërshtimi që e kanë ndaj Trumpit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli