Danimarka thotë se Grenlanda mund të bëhet e pavarur, por jo shtet i ShBA-së - NACIONALE

Danimarka thotë se Grenlanda mund të bëhet e pavarur, por jo shtet i ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grenlanda mund të bëhet shtet i pavarur, nëse banorët e saj e dëshirojnë pavarësinë, por ajo nuk do të bëhet shtet i ShBA-së, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Loekke Rasmussen, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, më herët kishte refuzuar që ta përjashtonte përdorimin e forcës për ta marrë kontrollin e ishullit gjigant.

“Ne njohim plotësisht [faktin] që Grenlanda i ka ambiciet e veta. Nëse ato materializohen, Grenlanda do të bëhet e pavarur, edhe pse vështirë me një ambicie për t’u bërë një shtet federal në Shtetet e Bashkuara” – tha kryediplomati danez, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai tha para gazetarëve se shqetësimet e shtuara të Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Arktik janë legjitime pas shtimit të aktiviteteve ruse dhe kineze në rajon.

“Nuk mendoj se jemi në një krizë të politikës së jashtme. Ne jemi të hapur për një dialog me amerikanët për atë se si mund të bashkëpunojmë më ngushtë se tani për t’u siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen” – shtoi ministri Rasmussen.

Për deklaratat e Trumpit rreth marrjes së kontrollit të Grenlandës më herët reaguan edhe Franca e Gjermania.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, tha se Evropa nuk do të lejonte vende të tjera që t’i sulmojnë kufijtë sovran të saj, edhe pse theksoi se ai nuk beson që Shtetet e Bashkuara do ta pushtonin ishullin që ka autonomi nga Danimarka.

Reagoi edhe Gjermania. “Si gjithmonë, vlen parimi i respektueshëm i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe i Akordeve të Helsinkut, më saktësisht që kufijtë nuk duhet të lëvizen me forcë” – tha zëdhënësi qeveritar në një konferencë të rregullt për gazetarë./Nacionale

Lajme të ngjashme