Danimarka s’e fton ushtrinë amerikane në ushtrimin e madh ushtarak në Grenlandë
Danimarka nuk e ka ftuar ushtrinë amerikane për të marrë pjesë në ushtrimin më të madh ushtarak në historinë moderne të Grenlandës, “Drita e Arktikut 2025”, kur aleatët e NATO-s po e shtojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes në Arktik në kohën e interesimit amerikan për ishullin gjigant.
Komandanti danez për Arktikun, Soren Andersen, konfirmoi se, përderisa i është dërguar ftesë sekretarit të Mbrojtjes të ShBA-së, Pete Hegseth, asnjë njësie të ushtrisë amerikane nuk i është kërkuar që të marrë pjesë në ushtrim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne punojmë së bashku me kolegët në Bazën Hapësinore “Pituffik” të ShBA-së, por ata nuk u ftuan me njësi për këtë ushtrim” – i tha agjencisë “Reuters” Anderseni.
Shtetet e Bashkuara më parë kanë marrë pjesë në ushtrimet ushtarake të udhëhequra nga Danimarka në Grenlandë. Një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Kopenhagë tha se “përderisa ne nuk do të marrim pjesë në këtë ushtrim të caktuar, ne e vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë ushtarak me Mbretërinë e Danimarkës dhe me aleatë të tjerë të Arktikut”.
Analisti i pavarur ushtarak, Hans Peter Michaelsen, i tha agjencisë “Reuters” se ky suhtrim ka një “sinjalizim të fortë politik” për ta demonstruar kujdestarinë e Danimarkës mbi Grenlandën me aleatët e NATO-s.
“Ushtrimi në thelb është i dizajnuar për t’u treguar amerikanëve se Danimarka përkujdeset për Grenlandën dhe se këtë e bën me ndihmën e vendeve të tjera të rëndësishme të NATO-s” – tha analisti.
Sidoqoftë, ai i hodhi poshtë sugjerimet se qëllimi i këtij ushtrimi është që t’i dërgohet një porosi Uashingtonit./Nacionale