Daniel Noboa e fiton balotazhin, zgjidhet president i Ekuadorit
Presidenti i qendrës së djathtë i Ekuadorit, Daniel Noboa, e ka fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, që do të thotë se ai tani do të shërbejë në një mandat të plotë 4-vjeçar.
Noboa, i cili fitoren e vet e quajti “historike”, ka qenë në pushtet vetëm nga nëntori i vitit 2023, pasi kishte fituar në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton televizioni BBC.
Ai deri më tani i ka dhënë formë presidencës së tij përmes një shtypjeje të fortë ushtarake ndaj bandave të dhunshme kriminale në Ekuador, e cila është bërë më e dhunshmja në rajon.
Rivalja e tij nga e majta politike, Luisa Gonzalez, tha se nuk e pranon rezultatin dhe pretendoi për mashtrim, pa paraqitur dëshmi.
Sipas shifrave të këshillit kombëtar zgjedhor të Ekuadorit, kjo është një fitore vendimtare për Noboan, me rreth 56 për qind të votave, pasi sondazhet para zgjedhjeve kishin lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një garë të ngushtë.
“Një fitore me më shumë se 10 pikë (të përqindjes) dhe mbi 1 milion vota, duke mos lënë dyshim për atë se kush është fituesi” – tha Noboa pas shpalljes së rezultateve.
“Kjo është arritur përmes këmbënguljes, përpjekjes dhe punës së madhe të secilit anëtar të këtij ekipi” – shtoi ai.
Fitorja e Noboas nënkupton se ai ka mandat për ta vazhduar atë që e ka përshkruar si “luftë” ndaj bandave kriminale të drogës, e cila e ka përfshirë militarizimin e rrugëve dhe burgjeve të vendit si dhe ndërtimin e burgjeve të reja me siguri maksimale.
Ai rishtazi i ka thënë BBC-së se dëshiron që ushtri të huaja nga vende si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian t’i bashkohen luftës së tij kundër bandave në Ekuador.
Noboa po shpreson që ta ndryshojë kushtetutën për të lejuar përsëri baza të huaja ushtarake në vend. Një gjë e tillë ishte ndaluar gjatë pushtetit të ish-presidentit Rafael Correa.
Numri i vrasjeve është ulur gjatë pushtetit të Noboa-s, por dhuna mbetet në nivel shumë të lartë. Në janar, mbi 780 njerëz u vranë në Ekuador, duke e shënuar njërin nga muajt më të përgjakshëm në historinë e vendit.
Sipas sondazheve të zhvilluara para zgjedhjeve, siguria ishte shqetësimi kryesor për votuesit./Nacionale