Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve në Siri, pak ulëse për pakicat dhe gratë
Siria të hënën i publikoi rezultatet preliminare të një votimi të tërthortë për Kuvend, hap kyç në distancimin nga ish-presidenti i rrëzuar, Bashar al-Assad, por veprim që ka nxitur shqetësime për gjithëpërfshirjen dhe drejtësinë nën pushetin e udhëheqësve të rinj.
Në zgjedhjet e së dielës, rreth 6.000 anëtarë të kolegjeve zgjedhore rajonale zgjodhën kandidatë nga listat e miratuara paraprakisht, pjesë e procesit për të nxjerrë gati dy të tretat e legjislaturës së re me 210 ulëse. Presidenti Ahmed al-Sharaa më vonë do ta përzgjedh një të tretën e mbetur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në ditët para zgjedhjeve, analistët dhe disa sirianë kishin shprehu shqetësim se procesi do të menaxhohej në mënyrë tepër qendore dhe se pezullimi i zgjedhjeve në zonat që janë jashtë kontrollit qeveritar nënkuptonte që jo të gjitha komunitetet do të pëfaqësoheshin në mënyrë të drejtë.
Në rezultatet preliminare të lëshuara të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 119 ligjvënës ishin zgjedhur, por nuk e tregoi numrin e votave që kishin marrë secili prej tyre. Ky institucion tha se kandidatët e pasuksesshëm kishin kohë deri në orën 17:00 që ta apelonin rezultatin.
Gjashtë gra janë në mesin e ligjvënësve të rinj, sipas një llogaritjeje nga agjencia “Reuters”, e vërtetuar nga vëzhguesit zgjedhorë. Vëzhguesit thanë se katër nga deputetët e rinj vijnë nga pakicat fetare, pëfshirë një të krishterë, një mysliman ismaili dhe dy alavitë.
Gjashtë deputetë vijnë nga pakicat etnike, përfshirë tre kurdë, prej të cilëve një është grua.
Njëri nga vëzhguesit e zgjedhjeve e përshkroi përbërjen e re të Kuvendit si myslimane sunite dhe të përbërë nga burrat në masë dërrmuese. Vëzhguesi tha gjithashtu se koha e shkurtër për apel e kufizon rëndë aftësinë për të paraqitur ankesa dhe e minon integritetin e procesit./Nacionale