Ç’po ndodh në veri të Ukrainës: Autoritetet nisin evakuim masiv në rajonin Sumy
Autoritetet ukrainase kanë filluar evakuim masiv të komuniteteve në rajonin verior të vendit, Symy, afër kufirit me Rusinë, pas periudhave të gjata të bombardimeve intensive në atë zonë, thanë të premten zyrtarët lokalë.
Administrata ushtarake e rajonit Sumy, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, tha se mbi 180 banorë të zonave afër komunitetit Velikopysarska, afër kufirit, ishin evakuuar gjatë tri ditëve të kaluara, raporton agjencia “Reuters”.
Autoritetet në Sumy për një kohë të gjatë kanë qenë duke lëshuar raportime të përditshme për bombardime ruse, por sulmet janë intensifikuar.
Administrata rajonale tha se zonat në fjalë janë “më të tensionuarat” në rajonin Sumy, ku tre persona janë vrarë e 13 të tjerë janë plagosur gjatë pesë ditëve të fundit.
Sipas administratës, gjithsej mbi 4.500 banorë janë evakuuar nga 22 fshatra në rajonin Sumy, por nuk u tregua se për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë.
Velikopysarska ndodhet pak kilometra larg fshatit Kozinka matanë kufirit në Rusi – ku autoritetet lokale thanë këtë javë se një sulm nga grupe të armatosura shkaktoi dëm të konsiderueshëm. Grupet e përshkruan veten si të përbëra nga rusë që janë kundër Kremlinit dhe thanë se po kryenin një operacion ushtarak në zonë.
Guvernatori i rajonit Belgorod në Rusi, Vyacheslav Gladkov, tha se bombardimi i zonave nën juridiksionin e tij vazhdoi të enjten, kur një person u lëndua. Gladkovi u end nëpër zonat kufitare të mërkurën vonë dhe tha se nuk kishte forca të armikut në rajon.
Guvernatori i rajonit fqinj rus, Kursk, Roman Starovoit, tha se njësitet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar tre dronë ukrainas të enjten në mbrëmje.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë rrëfimet për aktivitete ushtarake nga asnjëra palë.