CNN: Pyetjet e gjykatësve sugjerojnë se Gjykata Supreme do ta përkrahë kthimin e Trumpit në Kolorado
Gjykata Supreme e ShBA-së duket e vendosur për ta mbështetur ish-presidentin Donald Trump dhe për të rrëzuar një përpjekje kundër tij rreth legjitimitetit për të qenë në listën e votimit në Kolorado si kandidat presidencial këtë vit, raportoi të enjten televizioni CNN.
Nëse Trumpi largohet nga fletëvotimi në Kolorado, kryegjykatësi John Roberts parashikoi se edhe shtetet e tjera amerikane eventualisht do të mundoheshin që të largojnë kandidatë të tjerë nga fletëvotimi. Ai sinjalizoi se kjo nuk do të ishte në përputhje me qëllimin dhe historikun e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së, raporton televizioni amerikan.
“Do të vijë puna vetëm te pak shtete që do t’i vendosin zgjedhjet presidenciale. Kjo është pasojë goxha e frikshme” – tha kryegjykatësi John Roberts.
Në pyetje është një dispozitë në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së ShBA-së që ndalon zyrtarë të caktuar publikë nga shërbimi në qeveri përsëri, nëse kanë marrë pjesë në kryengritje. Gjashtë votuesit republikanë dhe të pavarur nga Koloradoja që e sfiduan Trumpin thonë se roli i tij në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Capitol-it të ShBA-së e fut atë në “ndalimin e kryengritjes”.
Megjithatë, shumica e gjykatësve konservatorë në Gjykatën Supreme u shtruan pyetje të vështira avokatëve që i përfaqësojnë këta votues, përfshirë atë nëse ndalimi i kryengritjes mund të zbatohet pa një ligj që do të miratohej paraprakisht nga Kongresi – edhe pse qe e paqartë se cilën rrugë mund ta zgjedhë gjykata.
Gjykatësi Brett Kavanaugh vazhdimisht u bëri trysni avokatëve për një vendim të shekullit XIX nga një gjykatë më e ulët që sugjeron se është Kongresi, e jo shtetet, që duhet të veprojë së pari rreth futjes në fuqi të ndalimit të kandidatëve që akuzohen për kryengritje.
Më tej, gjykatësi Neil Gorsuch, në anën tjetër, e theksoi idenë se ky ndalim vlen vetëm për shërbimin në zyrë, e jo patjetër për pjesëmarrjen në garë për të shërbyer.
Dispozita kyçe e Amendamentit të 14-të, Seksioni 3, thotë: “Asnjë person nuk do të… mbajë asnjë zyrë… nën Shtetet e Bashkuara… i cili, duke qenë më parë i betuar… për ta përkrahur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, të jetë përfshirë në kryengritje ose rebelim kundër të njëjtave, ose t’u ketë dhënë ndihmë ose rehati armiqve të tyre”.
Gjykatësi Kavanaugh e pyeti avokatin e votuesve të Kolorados se pse ish-presidenti Trump duhet të diskualifikohet nga lista e votimit, kur ai nuk është dënuar për kryengritje.
Kavanaugh theksoi se ekziston një statut federal për kryengritje dhe se Trumpi nuk është akuzuar për këtë, edhe pse është duke u ballafaquar me akuza të tjera nga hetuesi i posaçëm, Jack Smith, në lidhje me veprimet e tij pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
“Pozicioni juaj e ka efektin e heqjes së të drejtës së vouesve në shkallë të konsiderueshme” – tha ky gjykatës.
Megjithatë, avokati Jason Murray argumentoi se statuti federal për kryengritje ishte futur në fuqi para miratimit të Amendamentit të 14-të dhe se një dënim federal nuk kërkohet për ta larguar Trumpin nga fleta e votimit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli