CNN: Obama dhe Pelosi privatisht kanë shprehur shqetësime për Bidenin - NACIONALE

CNN: Obama dhe Pelosi privatisht kanë shprehur shqetësime për Bidenin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, kanë folur privatisht për presidentin e tanishëm, Joe Biden, dhe për të ardhmen e fushatës së tij për zgjedhjet e nëntorit. Të dy ish-zyrtarët e lartë kanë shprehur shqetësime për atë se sa më vështirë ata mendojnë se është bërë që Bideni ta mposhtë republikanin Donald Trump. Asnjëri prej tyre nuk është aq i sigurt se çfarë duhet të veprohet.

Demokratët duan dëshpërimisht që t’u jepet fund përplasjeve të brendshme në parti në mënyrë që t’u rikthehen përpjekjeve për ta mposhtur ish-presidentin Trump. Ata po kërkojnë ndihmë nga Obama ose Pelosi që të arrijnë në atë pikë, të vetëdijshëm se udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, nuk e ka besimin e Bidenit, ndërsa udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, nuk e gëzon thellësinë e marrëdhënieve për ta përçuar porosinë, raporton televizioni CNN.

Televizioni bisedoi me më shumë se dhjetë anëtarë të Kongresit, operativë e disa persona që kanë kontakte me Obamën e Pelosin, shumë pre të cilëve thonë se fundi i kandidaturës së Bidenit duket i qartë dhe se në këtë pikë, është vetëm çështje se si do të zhvillohet, edhe pas konferencës për gazetarë të enjten në mbrëmje.

Disa demokratë të lartë thonë se nëse Obama e Pelosi mendojnë ndryshe, ata duhet ta thonë këtë sa më shpejt që është e mundshme para se të bëhet më shumë dëm, kur kanë mbetur më pak se katër muaj deri në ditën e zgjedhjeve.

Shumë prej kolegëve të Pelosit po shpresojnë se ajo mund t’i japë fund trazirës që i ka kapluar demokratët në dy javët e fundit dhe për një pjesë të konsiderueshme të tyre, ky fund mund të vijë, nëse dhe kur ajo t’i thotë Bidenit se duhet të tërhiqet nga gara.

Pelosi ka biseduar me Bidenin pas debatit, por prej asaj kohe, demokratja nga Kalifornia ka bërë të qartë se ajo nuk e sheh si përfundimtar vendimin e Bidenit për të qëndruar si i nominuar i partisë. Sidoqoftë, ajo përmes një ndihmësi refuzoi që të komentonte më tej.

Kur të shkruhet historia e kësaj periudhe të jashtëzakonshme dyjavore në politikën amerikane, shenjat e Obamës dhe Pelosit do të jenë shumë më të dukshme se që dihen tani, i thanë televizionit personat e afërt me çështjen.

“Ata po shikojnë dhe po presin që presidenti Biden të arrijë një vendim vetë” – tha një demokrat i vjetër, i afërt me të gjitha këto figura, duke folur në kushte anonimiteti.

Zyrtarët e fushatës së Bidenit refuzuan që të komentonin./Nacionale

Lajme të ngjashme