CNN: Luftëtarët amerikanë po vdesin në Ukrainë me shifra në rritje
Më shumë se 20 amerikanë janë të zhdukur në aksion në vijat e frontit në Ukrainë, ndërsa është rritur numri i rasteve fatale në gjashtë muajt e kaluar, kur të huajt po e mbushin boshllëkun urgjent në mbrojtjen e sprovuar të vendit, sipas një hulumtimi të televizionit CNN.
Trupat e të paktën pesë vullnetarëve amerikanë, të cilët kishin nënshkruar për ushtrinë ukrainase, nuk mund të tërhiqeshin nga fusha e betejës, pasi u vranë në aksion në gjashtë muajt e fundit, sipas gjetjeve të televizionit të njohur amerikan. Dy prej tyre u riatdhesuan nga territori i pushtuar prej rusëve të premten në tokën ukrainase pas bisedimeve të gjata.
Rrëfimet e kolegëve të tyre që kanë mbijetuar dhe shifra në rritje e të vrarëve e paraqesin rolin e turbullt por të rëndësishëm të luftëtarëve amerikanë në vijën e frontit në një luftë që është quajtur “qesharake” nga presidenti Donald Trump, i cili i ka bërë thirrje homologut rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund konfliktit në mënyrë diplomatike.
Të afërmit e amerikanëve të zhdukur i treguan televizionit për gjendjen e vështirë për shkak të pamundësisë për t’i varrosur bijtë e tyre si dhe për ngërçin ligjor për pamundësinë që të dashurit e tyre të shpallen zyrtarisht të vdekur.
Dy vullnetarë amerikanë u vranë në të njëjtin incident afër Pokrovskut në lindje të Ukrainës në fund të shtatorit, sipas të mbijetuarve dhe të afërmve. Trupat e tyre nuk janë marrë. Ish-ushtari amerikan, Zachary Ford, 25 vjeç, nga Missouri, dhe një amerikan tjetër pa përvojë ushtarake, familja e të cilit kërkoi që ai të identifikohej vetëm me nofkën “Gunther”, u vranë nga një dron, përderisa ishin ngarkuar me detyrën për të hedhur në erë një urë afër fshatit Novohrodivka.
Amerikani që mbijetoi, i cili kërkoi të identifikohej me nofkën “Redneck”, e përshkroi misionin si operacion me gjasë të kufizuar për sukses, ku grupi i tre vullnetarëve amerikanë u zunë shpejt në kurth nga zjarri rus në një llogore rreth 500 metra larg urës që e kishin në shënjestër.
Më tej, ai tregoi se si shoku i plagosur luftës kishte kërkuar që ta vriste, sepse e dinte se nuk do t’i mbijetonte një sulmi tjetër. Redneck tha se ia refuzoi kërkesën shokut./Nacionale