CNN: Do të ketë pak gjëra për ta ndalur Trumpin
Donald Trumpi beson se presidentët kanë pushtet gati absolut. Në mandatin e tij të dytë do të ekzistojnë pak kufizime politike ose ligjore për ta kontrolluar atë.
Fitorja e gjerë e presidentit të zgjedhur kundër nënpresidentes Kamala Harris në mënyrë të papritur e shndërroi nocionin teorik që ai do t’i kënaqë instinktet e veta autokratike në mundësi të vërtetë, raporton televizioni CNN.
Kur Trumpi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar si njëri nga presidentët më të fuqishëm në histori, ai do të mund ta shfrytëzojë tëhollimin e parmakëve gjatë mandatit të tij të parë, të cilin e vazhdoi përmes manovrimeve ligjore jashtë pushtetit.
Nuk është e garantuar që vetëm pse Trumpi ka pushtet masiv, do t’i refuzojë kontrollet dhe baraspeshat kushtetuese, por mësimi nga karriera biznesore dhe politike e Trumpit është që ai synon t’i shkatërrojë të gjitha kufizimet.
Për shembull, ai e ka shtypur opozitën në Partinë Republikane dhe i ka nxjerrë heretikët politikë që e kundërshtojnë kredon e tij, “Bëje Amerikën Përsëri të Madhe”. Kjo do të jetë gjithnjë më domethënëse, pasi Partia Republikane tashmë e ka marrë kontrollin e Senatit dhe ende shpreson që ta kompletojë monopolin në pushtet duke e ruajtur shumicën edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ku gara ende nuk është shpallur e mbyllur.
Asnjë president tjetër nuk ka ardhur në pushtet “i armatosur” me një vendim të Gjykatës Supreme që u jep imunitet të konsiderueshëm presidentëve për akte zyrtare. Vendimi, rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjes së Trumpit për ta sfiduar aktakuzën ndaj tij për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020, është i kufizuar, por është e sigurt se ai do të ketë këndvështrim të gjerë të kuptimit të vendimit. Vendimi doli nga një shumicë konservatore e gjykatës që kishte marrë formë nga Trumpi në mandatin e tij të parë dhe që shumë vëzhgues ligjorë tani e shohin si “amin” për grabitjet e pushtetit në të ardhmen.
Ndoshta si diçka më domethënëse, Trumpi mund të pretendojë legjitimitet demokratik për atë që tashmë po formësohet si presidenca më e papërmbajtur e epokës modern, pas shtimit të votave në shumë pjesë të popullsisë, raporton televizioni amerikan./Nacionale