CNN: Disa kongresistë të lartë demokratë thonë se Bideni duhet të tërhiqet nga gara - NACIONALE

CNN: Disa kongresistë të lartë demokratë thonë se Bideni duhet të tërhiqet nga gara

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se një grusht i ligjvënësve demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së – udhëheqës komisionesh në këtë institucion – i thanë liderit të pakicës, Hakeem Jeffries, gjatë një telefonate të dielën se presidenti Joe Biden duhet të tërhiqet nga fushata e këtij viti, sipas burimeve të afërta me telefonatën.

Jeffries e zhvilloi bisedën telefonike për t’ua matur disponimin kryetarëve të komisioneve pas performancës së zymtë të Bidenit në debatin presidencial muajin e kaluar. Telefonata, që u zhvillua para se ligjvënësit të kthehen këtë javë në Uashington, ishte e mbushur me shqetësim të thellë për dëmin e mundshëm ndaj kandidaturës demokrate dhe se si ajo i rrezikon gjasat e partisë për ta rikthyer shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, raporton televizioni CNN.

Jeffries nuk u tregoi kolegëve se ku qëndron rreth çështjes nëse Bideni duhet ta vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë, i tha televizionit CNN një burim.

Numri i ligjvënësve që haptazi thanë se Bideni nuk duhet të jetë i nominuar i demokratëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ishte më i madh se shifra e atyre që folën pro qëndrimit të tij në garë, sipas njërin prej burimeve. Në mesin e atyre që dolën kundër presidentit ishin kongresistët Mark Takano, Adam Smith, Jim Himes, Joe Morelle, Jerry Nadler dhe Susan Wild, sipas tri burimeve.

Pesë ligjvënës kanë bërë publikisht thirrje që Bideni të tërhiqet nga gara për president: kongresistët Lloyd Doggett, Seth Moulton, Raul Grijalva, Angie Craig dhe Mike Quigley.

Sipas njërit prej burimeve, kongresistët Bobby Scott dhe Maxine Waters folën në përkrahje të Bidenit.

Njëri nga shqetësimet e shprehura gjatë telefonatës gati dyorëshe ishte që demokratët do ta humbin mundësinë për ta siguruar shumicën e ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve, nëse Bideni mbetet kandidat, tha njëri nga burimet, duke shtuar se përgjithësisht u pranua që e nominuara duhej të ishte nënpresidentja Kamala Harris./Nacionale

Lajme të ngjashme