Çmimi i marrëveshjes: Izraeli e liron palestinezin e dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e 13-vjeçarit
Izraeli të hënën liroi gati 2.000 palestinezë – përfshirë qindra të dënuar për terrorizëm që ishin duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm – si pjesë e marrëveshjes për armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve që po mbaheshin nga Hamasi.
Pak kohë pas lirimit të 20 pengjeve të gjalla nga Hamasi, Izraeli vendosi 1.968 të burgosur palestinezë në autobusë që u nisën për në Bregun Perëndimor dhe Gaza, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në mesin e tyre ishin 250 të burgosur për arsye sigurie, shumica prej tyre duke vuajtur një ose më shumë dënime me burgim të përjetshëm për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Aty përfshihet një polic palestinez që i ishte bashkuar sulmit ndaj dy rezervistëve izraelitë në vitin 2000, një banor i Gazës që ishte dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një djali 13-vjeçar dhe dhjetëra të dënuar të tjerë për një varg bombardimesh vetëvrasëse e sulme të tjera.
Hamasi tha se 154 prej të burgosurve të liruar u dëbuan në Egjipt.
Në të njëjtën kohë, në burgun “Ketziot” në jug të Izraelit, 1.718 banorë të Gazës që ishin ndaluar edhe pse nuk ishin të përfshirë në sulmin e 7 tetorit të vitit 2023, por ishin arrestuar si luftëtarë të paligjshëm gjatë luftës, gjithashtu u liruan. Në mesin e tyre ishin disa gra e fëmijë.
Në prillin e vitit 1989, 13-vjeçari Oren Baharami nga Bat Yam-i në Izraelin qendror ishte joshur nga banori i Gazës, Ahmed Mahmed Jameel Shahada, për të shkuar në një dhomë të braktisur në Manastirin Armen në Jafa.
Shahada dhe një autor tjetër pastaj e përdhunuan dhe e vranë adoleshentin dhe ia lanë trupin në manastir, ku ishte gjetur pas disa ditësh./Nacionale