Cikloni “Mocha” po forcohet dhe po shkon drejt kampit më të madh të refugjatëve në botë
Një ciklon tropical është duke u forcuar në Ngushticën e Bengalit dhe është rrugës për t’i goditur Birmaninë e Bangladeshin, ku rreth një milion njerëz jetojnë në strehimore të dobëta në atë që shumë njerëz e cilësojnë si kampin më të madh të refugjatëve në botë.
Cikloni “Mocha” është i pari që është formuar këtë vit në Ngushticën e Bengalit dhe pritet që të bëhet edhe më i fuqishëm para se të arrijë në territor tokësor të dielën, me gjasë në shtetin perëndimor të Birmanisë, Rakhine, afër kufirit me Bangladeshin, raporton televizioni CNN.
Sipas Qendrës së Përbashkët Paralajmëruese për Tajfune, “Mocha” u fuqizua të premten dhe u bë i barabartë me kategorinë e parë të uraganeve të Atlantikut dhe se është duke lëvizur me shpejtësi prej 11 kilometrash në orë drejt veriut.
Shpejtësia e erës së kësaj stuhie mund të arrijë deri në 220 kilometra në orë, e barabartë me kategorinë e katërt të uraganeve të Atlantikut, pak para se të mbërrijë në territor tokësor të dielën në mëngjes, tha kjo qendër.
Departamenti i Meteorologjisë i Indisë tha të premten se “Mocha” është bërë stuhi e ashpër ciklonike dhe i paralajmëroi peshkatarët që të mos lundrojnë larg në gji gjatë ditëve të ardhshme.
Agjencia indiane ka parashikuar valë të larta deri në 2,5 metra nga stuhia, të cilat kanë gjasë që të shkaktojnë vërshime në zonat e ulëta bregdetare gjatë kohës së mbërritjes së ciklonit në territor tokësor.
Në Bangladesh, në këtë parashikim përfshihet Cox’s Bazar-i, ku ndodhen anëtarë të komunitetit Rohingua, të cilët kishin ikur nga përndjekja në Birmani gjatë shtypjes ushtarake më 2017. Shumë prej tyre jetojnë në strehimore të ndërtuara me drunj bambuje e pëlhura në shpate kodrinore, të cilat janë të ndjeshme ndaj erës së fuqishme, shiut dhe rrëshqitjes së dheut.
