CIA shkarkon numër të pasaktësuar të oficerëve të rinj - NACIONALE

CIA shkarkon numër të pasaktësuar të oficerëve të rinj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara këtë javë ka shkarkuar disa pjesëtarë të stafit që janë punësuar rishtazi, thanë tre persona të afërt me këtë çështje. Disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane paralajmëruan se ky veprim mund ta dëmtojë sigurinë kombëtare të ShBA-së.

Shkarkimi i punëtorëve nën udhëheqjen e drejtorit të ri të CIA-s, John Ratcliffe, vjen në kohën kur presidenti Donald Trump po drejton një zvogëlim masiv të fuqisë punëtore federale të mbikëqyrur nga miliarderi Elon Musk dhe nga Departamenti i Efiçiencës Qeveritare, që drejtohet prej tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të punësuarit rishtazi në CIA, të njohur si punonjës në provë, punuan nëpër disa portfolio të ndryshme dhe u shkarkuan për shkak të çështjeve që lidhen me performancën, tha një person i afërt me çështjen. Ai refuzoi të tregonte se sa punëtorë janë shkarkuar, por tha se janë më shumë se disa.

“Në CIA, ne jemi duke e rishikuar personelin brenda dy viteve të para të shërbimit në agjenci” – tha një zëdhënës i CIA-s në një deklaratë. “Për një pjesë të personelit, ai proces do të rezultojë në përfundim (të kontratës). Oficerët tanë ballafaqohen me trysni unike nga puna në situata që janë me zhvillim të shpejtë e me peshë të madhe. Kjo s’është për këdo” – tha më tej zëdhënësi i CIA-s.

Në disa agjenci të tjera, megjithatë, disa punëtorë federalë që ishin shkarkuar për gjoja performancë të dobët si pjesë e ribërjes së qeverisë federale nga Trumpi kishin marrë vlerësime të shkëlqyeshme të performancës para se të largoheshin nga puna, sipas intervistave e dokumenteve që i ka parë agjencia “Reuters”.

Punëtorët në provë, të cilët janë shkarkuar, kishin qenë duke punuar për CIA-n vetëm në dy vitet e fundit ose më pak, thanë burimet. Për shkarkimin e tyre e para raportoi gazeta “The New York Times”.

Një person i afërt me çështjen tha se anëtarët e komisioneve për inteligjencë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve nuk ishin njoftuar për fillimin e shkarkimit të këtyre punëtorëve, siç është zakon. Anëtarët e këtyre komisioneve do të kërkojnë më shumë të dhëna nga CIA ditëve të ardhshme, tha personi në kushte anonimiteti./Nacionale

Lajme të ngjashme