Çfarë thonë ekspertët, a është Putini vërtet i sëmurë?
Lidhur me shëndetin e presidentit rus Vladimir Putin ka kohë që kanë qarkulluar thashetheme të ndryshme, por a ka ndonjë fakt për t’i mbështetur ato?
Një analist i Mbrojtjes dhe Sigurisë, profesor Michel Clarke, duke folur për Sky News tha se spekulimet për shëndetin e Putinit do të vazhdojnë të "qarkullojnë" dhe njerëzit shpesh pyesin "a ka kancer, a ka kancer pankreatik, a ka sëmundjen e Parkinsonit?"
"Kur e shihni atë në këto klipe që po i shohim gjithnjë e më shpesh tani që COVID ka mbaruar dhe ai po del nga hijet, ku ka qenë për më shumë se dy vjet, dhe po e bën të qartë se e ka kontrollin - ai duket mirë. Kam folur me një numër njerëzish që thonë se nuk mund ta zbulosh sëmundjen e Parkinsonit nga mënyra se si ai ecën, nuk mund të zbulosh simptomat e kancerit vetëm duke parë fotografi."
Profesori Clarke tha se në fakt “nuk ka asnjë provë bindëse për ndonjë nga këto sëmundje”.
Edhe në muajin maj, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, mohoi se Putin kishte probleme shëndetësore, duke thënë se “mund ta shikosh në ekrane, të lexosh dhe të dëgjosh performancat e tij, unë nuk mendoj se njerëzit e arsyeshëm mund të shohin shenja të një lloj sëmundjeje ose shëndeti të dobët".
Por, thashethemet për shëndetin e tij janë ndezur nga vëzhguesit që kanë spekuluar se si është dukur presidenti rus gjatë takimeve, duke përfshirë lëvizjet e tij - nëse po e kapë tryezën apo nëse ka fytyrë të fryrë që tregon shenja të përdorimit të streoideve.
Clarke tha se, ai dyshon “vetëm që Putini është një hipokondriak”
“Më 7 tetor ai do të jetë 70. Ai dihet se përdor shumë Botox, unë gjithmonë them se ai po përpiqet të balsamoset derisa është ende gjallë, lëviz me mjekë, dihet se ka një ekip të vogël mjekësh që nuk janë kurrë larg dhe thuhet se ai i lë takimet në intervale të shpeshta për të shkuar të konsultohet me dikë.”
Po nëse lideri rus sëmuret?
"Nëse ai sëmuret, kjo do të ishte një rrugëdalje për Rusinë që të thoshte se presidenti ka dhënë dorëheqjen dhe lufta tani do të ndiqet nga Nikolai Patrushev - i cili është po aq i keq sa ai", përfundoi Clarke.