Çfarë pritet të diskutojnë Erdogani e Putini javën e ardhshme në Turqi? - NACIONALE

Çfarë pritet të diskutojnë Erdogani e Putini javën e ardhshme në Turqi?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe për Nismën e Detit të Zi për Drithin gjatë një vizite të kreut të Kremlinit në Ankara, tha të martën kryediplomati turk.

Ministri i Punëve të Jashmte i Turqisë, Hakan Fidan, nuk dha ndonjë datë për vizitën, e cila do të shënonte udhëtimin e parë të presidentit rus në një shtet të NATO-s që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Një zyrtar turk i tha agjencisë “Reuters” javën e kaluar se Putini do të shkojë në Ankara më 12 shkurt, raporton agjencia “Reuters”.

Turqia është munduar që ta bindë Rusinë për t’u kthyer në Nismën e Detit të Zi për Drithin - marrëveshje e ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara – me të cilën ishte siguruar eksportimi i sigurt i drithit ukrainas gjatë luftës përmes Detit të Zi. Rusia u tërhoq nga pakti në korrik të vitit 2023 dhe ka thënë se nuk është e interesuar për t’u kthyer në të.

Duke folur në një konferencë për gazetarë në kryeqytetin e Maltës, Valletta, ministri turk tha se vendi i tij është duke punuar me Ukrainën e Rusinë për ta ringjallur marrëveshjen për eksportimin e drithit.

Ai shtoi se Ankaraja e çmon dialogun “e vazhdueshëm, të rregullt” me Moskën për një varg çështjes, nga energjia te dallimet e politikave në lidhje me konfliktet rajonale në Siri, Libi dhe në Kaukazin Jugor.

“Ne gjithmonë i kemi qëndruar integritetit territorial të Ukrainës dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë, por ndikimi shkatërrues i luftës duhet të marrë fund, gjithashtu” – tha më tej kryediplomati turk, duke iu referuar marrëveshjes për drithin.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka synuar që të mbajë lidhje të mira me të dyja vendet gjatë luftës. Ankaraja i ka ofruar përkrahje ushtarake Kievit dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, por i ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë.

Kremlini ka thënë se Erdogani dhe Putini gjatë vizitës së presidentit rus do të diskutojnë për ndërtimin e një stacioni të gazit në Turqi dhe për luftën në Ukrainë./Nacionale

Lajme të ngjashme