Çfarë është “Super e Marta” në ShBA dhe pse ka aq shumë peshë?
“Super e Marta”, dita më e rëndësishme deri më tani në garën për Shtëpinë e Bardhë, tashmë erdhi.
Më 5 mars, votuesit në 15 shtete të ShBA-së dhe në një territor amerikan i zgjedhin kandidatët e tyre partiakë për president. Rezultatet e Partisë Demokratike do të merren vesh edhe për një shtet të gjashtëmbëdhjetë amerikan, raporton televizioni BBC.
Kjo ditë do të duhej të ofronte një pamje për pikat e forta dhe dobësitë e mundshme të dy kandidatëve favoritë, Joe Biden e Donald Trump, si dy rivalë të përbetuar që po shkojnë drejt një ballafaqimi të përsëritur në zgjedhjet e nëntorit.
Çfarë është “Super e Marta”?
Kjo është dita kur në më së shumti shtete votohet për kandidatët partiakë për president të vendit.
Garat do të zhvillohen në Alabama, Alaskë, Arkansas, Kaliforni, Kolorado, Maine, Masaçusets, Minesota, Karolinë të Veriut, Oklahoma, Tennessee, Teksas, Utah, Vermont, Virgjinia dhe në territorin e Samoas Amerikane.
Gara në Partinë Republikane do të jetë në të gjitha këto 15 shtete, ndërsa demokratët do të votojnë në të njëjtat shtete, me përjashtim të Alaskës, por do të mbajnë garë në Samoan Amerikane.
Sa delegatë janë në garë për t’u “grabitur”?
Duke u mbështetur në rezultatet e secilës garë, zyrtarët partiakë të njohur si delegatë, u ofrohen si shifër kandidatëve kryesorë. Një numër i caktuar i delegatëve nevojitet për të zgjedhur zyrtarisht një të nominuar në konventën e secilës parti këtë verë.
Rreth një e treta e delegatëve – 865 republikanë dhe të paktën 1.420 demokratë – janë në garë për t’u “grabitur” nga kandidatët në ditën që njihet si “Super e Marta”.
Zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë parashikuar se ai do të fitojë të paktën 773 delegatë të martën dhe se do ta fitojë nominimin e partisë më vonë në mars. Tash për tash, ai tani ka rreth 244 delegatë, ndërsa rivalja e tij republikane, Nikki Haley, vetëm 43.
Të paktën 1.215 delegatë nevojiten për ta fituar nominimin e Partisë Republikane, ndërsa 1.968 është numri magjik për demokratët.
Kur do t’i dimë rezultatet?
Pasi garat mbahen në gjashtë zona kohore të ndryshme, rezultatet nuk do të dihen menjëherë.
Sidoqoftë, rezultatet do të fillojnë të dalin në kohën e mbylljes së qendrave të votimit në bregdetin lindor, në mbrëmjen e hershme.
Rrjetet amerikane, përfshirë televizionin CBS, pritet që ta fillojnë shpalljen e fituesve rreth orës 20:00 sipas zonës kohore lindore të ShBA-së (në orën 02:00 të së mërkurës sipas zonës kohore të Kosovës).