Ç’është i frikshmi “B-1 Lancer” që u përdor në sulmet e ShBA-së në Siri e Irak? - NACIONALE

Ç’është i frikshmi “B-1 Lancer” që u përdor në sulmet e ShBA-së në Siri e Irak?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i mbrojtjes në ShBA ka thënë se bombardues të tipit “B-1 Lancer” janë në mesin e aeroplanëve që u përdorën për të kryer sulme ajrore të premten në Siri e Irak. Çfarë është ky lloj aeroplani?

Aeroplani luftarak “B-1 Lancer” është bombardues i rëndë që mund të dislokojë armë precize e joprecize, raporton televizioni CNN.

Ekuipazhet e këtyre bombarduesve u nisën nga Shtetet e Bashkuara dhe arritën deri te caqet e sulmeve përmes fluturimit të pandërprerë, tha Gjeneral Douglas Sims, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm, para gazetarëve të premten.

“Treguesit fillestarë janë që ne e goditëm saktësisht atë që duhej goditur, me një numër të shpërthimeve dytësore të lidhura me lokacionet e municionit dhe logjistikës” që i kishte vënë në shënjestër ShBA-ja, shtoi oficeri i lartë ushtarak.

Sims tha më tej se Shtetet e Bashkuara presin që të ketë pasoja në njerëz pas shënjestrimit të caqeve.

“Ne e dimë se atje ka militant që i përdorin këto lokacione. Ne i bënë këto sulme sonte me idenë që me gjasë do të kishte pasoja në njerëz të lidhura me personat brenda atyre objekteve”- deklaroi ai.

Tiparet e bombarduesit “B-1 Lancer”

Aeroplani luftarak “B-1 Lancer” është bombardues i rëndë supersonik që përdoret nga Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara. Ai është njëri nga tre bombarduesit strategjikë që përdoren në flotën e Forcës Ajrore të ShBA-së, bashkë me aeroplanët “B-2 Spirit” dhe “B-52 Stratofortress”.

Ky aeroplan e ka bërë fluturimin e parë më 23 dhjetor 1974, para 49 vjetëve, ndërsa deri më tani janë prodhuar 104 të tillë.

Ekzistojnë tri variante të këtij aeroplani: B-1A, B-1B dhe B1-R. Variantet B-1A dhe B1-R kanë shpejtësi Mach 2.2 (2.716 kilometra në orë), ndërsa variant B1-B shpejtësi Mach 1.25 (959 kilometra në orë).

Më 8 korrik 2017, Forca Ajrore e ShBA-së kishte dërguar dy bombardues të tillë afër kufirit të Koresë Veriore si shfaqje e forcës në kohën e tensioneve në ngritje, sidomos si kundërpërgjigje ndaj testimit të një rakete ndërkontinentale nga shteti aziatik, e cila mund të arrinte në Alaskë të ShBA-së.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme