Çadi e çudit Gjermaninë, ia dëbon ambasadorin për disa kritika
Qeveria e Çadit e ka urdhëruar ambasadorin gjerman, Gordon Kricke, që të largohet nga ky shtet brenda 48 orëve. Sipas burimeve, vendimi është nxitur nga komentet e ambasadorit për shtyrjen e tranzicionit të Çadit drejt pushtetit civil pas puçit të vitit 2021.
“Ky vendim i qeverisë është i motivuar nga qëndrimi i pasjellshëm dhe mosrespektimi i zakoneve diplomatike”- tha të premten vonë Ministria e Komunikimit.
Dy burime qeveritare thanë të shtunën se ambasadori Kricke i kishte kritikuar shtyrjet e zgjedhjeve pas puçit dhe një vendim të vitit të kaluar që ia lejon udhëheqësit të përkohshëm ushtarak, Mahamat Idriss Deby, pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2024.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk e komentoi dëbimin e ambasadorit të saj, por një burim i afërt me qëndrimet e kësaj ministrie tha se vendimi është “absolutisht i pakuptueshëm” dhe se është në kontakt me autoritetet çadiane, raporton agjencia “Reuters”.
Udhëheqësit ushtarakë fillimisht kishin premtuar tranzicion 18-mujor deri në zgjedhje, kur Deby e kishte marrë pushtetin, pasi babai i tij, presidenti Idriss Deby, u vra në fushë të betejës gjatë një konflikti me kryengritësit, duke i dhënë fund pushtetit të tij autoritar të gjatë me dekada.
Megjithatë, vitin e kaluar, qeveria ushtarake e zgjati afatin e tranzicionit për dy vjet, duke i shtyrë zgjedhjet deri në tetor të vitit 2024, duke nxitur protesta që u pasuan me vrasjen e dhjetëra civilëve.
Fuqitë rajonale dhe Shtetet e Bashkuara kishin shprehur shqetësim dhe kishin paralajmëruar që pushtetit ushtarak të mos i zgjatej afati.