"Pas një viti praktikisht u zhdukën": Business Insider shkroi për dështimin e dronëve Bayraktar në luftën e Ukrainës
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dronët Bayraktar të blerë nga Turqia. Çmimi i tyre raportohet se shkon në 5 milionë dollarë. Por, sa të suksesshëm janë treguar në luftën e Ukrainës? Business Insider ka publikuar një artikull mjaft të rëndë ndaj tyre.
Ish-ushtari gjerman i UÇK-së, Roland Bartetzko, ka deklaruar se blerja e këtyre dronëve ishte “humbje e parave të taksapaguesve”. Ai u shpreh se këta dronë ishin zhdukur nga Ukraina shkaku i mosefikasitetit të tyre.
Por, çka ka shkruar për këtë çështje Business Insider nga Amerika?
Kjo gazetë amerikane i ka kushtuar një artikull këtyre dronëve me titullin: “Dronët Bayraktar TB2 u lavdëruan si shpëtimtarët e Ukrainës dhe e ardhmja e luftës. Një vit më vonë, ata praktikisht janë zhdukur.”
Një analist dhe ekspert i sistemeve ushtarake robotike e pa pilot me emrin Samuel Bendett i ka thënë Insiderit këto fjalë:
“Vlerësimi i përgjithshëm i dronëve si TB2 është që ata punojnë mirë kur nuk ka mbrojtje të sofistikuar ajrore apo luftë elektronike kundër tyre.”
Business Insider shkruan se vetëm një vit pasi ishin lavdëruar për efikasitetin e tyre, “dronët thuajse tërësisht ishin rrëzuar, dhe ata që mbeten janë reduktuar në detyra të thjeshta të zbulimit.”
Tashmë, Ukraina po i përdorte kryesisht këta dronë për “inteligjencë, mbikëqyrje dhe çështje të zbulimit e jo për sulm,” sipas të njëjtit ekspert.
Një raport i bërë nga një Institut i Mbretërisë së Bashkuar vlerësonte që lufta elektronike ishte “komponent kritik” i taktikave të Rusisë dhe kishte kontribuuar në humbje enorme të dronëve të Ukrainës.
Kyeministri i Kosovës në postimin e sotëm nuk ka treguar se sa dronë Bayraktar TB-2 i ka blerë Qeveria e Kosovës.
Megjithatë, ai është shprehur se “Kosova tash është më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”
Në Kosovë deri tash nuk ka pasur ndonjë kritikë në lidhje me blerjen e këtyre dronëve.

