Burimet libaneze: Bideni dhe Macroni pritet ta njoftojnë armëpushimin Izrael – Hezbollah
Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës, Joe Biden dhe Emmanuel Macron, pritet që së shpejti të njoftojnë një armëpushim në Liban mes Izraelit dhe Hezbollahut, thanë të hënën katër burime libaneze.
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, tha “jemi afër”, por “asgjë nuk është e kryer derisa të bëhet gjithçka”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenca franceze tha se diskutimet për armëpushim kishin shënuar përparim domethënës. Në Jerusalem, një zyrtar i lartë izraelit tha se kabineti qeveritar i Izraelit do të takohej të martën për të miratuar një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun.
Shenjat e suksesit diplomatik u shoqëruan me sulme të rënda ajrore izraelite në periferinë jugore të Bejrutit, që kontrollohet nga Hezbollahu, përderisa Izraeli e vazhdoi ofensivën e nisur në shtator pas gati një viti me armiqësi matanë kufirit.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, refuzoi që t’i komentonte raportimet se Izraeli dhe Libani ishin pajtuar për tekstin e një marrëveshjeje. Megjithatë, zyrtari i lartë izraelit i tha agjencisë “Reuters” se qëllimi i takimit të kabinetit qeveritar të martën është miratimi i tekstit.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se vendi i tij do ta mbajë aftësinë për ta sulmuar jugun e Libanit sipas cilësdo marrëveshje. Libani më parë është ankuar me pjesën e tekstit që do t’i jepte Izraelit të drejtë të tillë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, tha se dallimet mes dy palëve janë ngushtuar në masë të konsiderueshme, por se ende ka hapa që ato duhet t’i bëjnë për të arritur marrëveshje.
“Shpesh, fazat e fundit të një marrëveshjeje janë më të vështirat, sepse çështjet më të vështira lihen në fund. Ne po bëjmë shtytje aq fort sa po mundemi” – tha ai./Nacionale