Burimet e afërta me Khamenein paralajmërojnë për rrezikun për llogaritje të gabuar nga ai - NACIONALE

Burimet e afërta me Khamenein paralajmërojnë për rrezikun për llogaritje të gabuar nga ai

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, po mbetet figurë gjithnjë më e vetmuar. Këshilltarët e tij kryesorë ushtarakë e të sigurisë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë boshllëk të madh në rrethin e tij të brendshëm e duke e shtuar rrezikun për gabime strategjike, sipas pesë personave të afërt me procesin e vendimmarrjes së tij.

Njëri nga burimet, i cili rregullisht merr pjesë në takimet me Khamenein, e përshkroi rrezikun e llogaritjes së gabuar nga Irani për çështje të mbrojtjes dhe stabilitetit të brendshëm si “tepër të rrezikshëm”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Disa komandantë të lartë ushtarakë janë vrarë nga e premtja, përfshirë këshilltarët kryesorë nga Rojat Revolucionare: komandanti i përgjithshëm, Hossein Salami, shefi i aerohapësirës, Amir Ali Hajizadeh, dhe shefi i inteligjencës, Mohammad Kazemi.

Këta burra ishin pjesë e rrethit të brendshëm të liderit suprem, që përbëhet nga rreth 15 – 20 këshilltarë nga komandantët e Rojave Revolucionare, klerikët dhe politikanët, sipas burimeve, në mesin e të cilave përfshihen tre persona që marrin pjesë ose që kanë marrë pjesë në takimet me Khamenein rreth çështjeve të rëndësishme dhe dy të tjerë të afërt me zyrtarë që janë rregullisht pjesë e këtyre takimeve.

Grupi takohet në bazë ad hoc, kur zyra e Khameneit kontakton këshilltarë përkatës për t’u mbledhur në kompleksin e tij në Teheran për të diskutuar rreth një vendimi të rëndësishëm, thanë të gjitha burimet. Personat që marrin pjesë në takim karakterizohen nga besnikëria e palëkundur ndaj liderit suprem dhe ndaj ideologjisë së Republikës Islamike, shtuan burimet.

Sipas sistemit iranian të qeverisjes, Khamenei ka komandë supreme ndaj forcave të armatosura, kompetenca për të shpallur luftë dhe mund të emërojë ose të shkarkojë figura të larta, përfshirë komandantë ushtarakë e gjykatës.

Khamenei i merr vendimet përfundimtare për çështje të rëndësishme, edhe pse i çmon këshillat, i dëgjon me vëmendje pikëvështrimet e ndryshme dhe shpesh kërkon të dhëna shtesë nga këshilltarët e tij, sipas njërit prej burimeve që merr pjesë në takimet me liderin suprem.

“Dy gjëra mund t’i thuash për Khamenein: ai është tepër kokëfortë, por gjithashtu tepër i kujdesshëm. Ai është shumë i kujdesshëm. Për këtë arsye është në pushtet për aq sa është” – tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington.

Pesë personat e afërt me procesin e vendimmarrjes së Khameneit theksuan se njerëz të tjerë brenda rrethit të tij, të cilët nuk janë prekur nga sulmet e Izraelit, mbeten të rëndësishëm dhe me ndikim, përfshirë disa këshilltarë të lartë për çështje politike, ekonomike dhe diplomatike./Nacionale

Lajme të ngjashme