Bujku ukrainas zbulon metodë interesante për t’i deminuar arat, traktorin e drejton nga largësia
Një bujk ukrainas ka filluar që të përdorë një mënyrë interesante dhe inovative për t’i larguar minat që mund të kenë mbetur në arat e tij pas largimit të rusëve.
Ai e ka pajisur traktorin me panele që i ka marrë nga tanket ruse dhe e drejton mjetin nga largësia me një pajisje teledirixhuese, raporton agjencia “Reuters”.
Pas largimit të forcave ruse nga disa pjesë lindore të Ukrainës vitin e kaluar, minat mbetën në shumë fusha e ara, duke i rrezikuar bujqit gjatë punës së tyre.
Fushat përreth fshatit Hrakove nuk paraqesin përjashtim. Oleksandr Kryvtsov, menaxher i përgjithshëm në kompaninë e tij bujqësore, nuk priti që deminuesit e stërngarkuar zyrtarë të vinin për t’ia pastruar arën nga minat.
Kështu, ai përgatiti një traktor të kontrolluar nga largësia, i cili do t’u bëjë ballë shpërthimeve të mundshme. Duke shfrytëzuar material anti-plumb nga automjetet ushtarake ruse, ai bleu një sistem që do ta mundësojë drejtimin e traktorit nga largësia, duke qëndruar hipur mbi një mjet tjetër.
“E filluam këtë, sepse koha e të mbjellave ka ardhur dhe nuk mund të bëjmë asgjë, sepse shërbimet e shpëtimit janë shumë të zëna”- i tha bujku agjencisë “Reuters”.
“Kemi kaluar mbi një minë kundërtank. Mbrojtja u godit, (por) traktori është i sigurt. Të gjithë janë gjallë dhe të sigurt. Pajisja është ndrequr dhe është rivendosur”- shtoi ai.
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha javën e kaluar se rreth 30 për qind e territorit ukrainas është minuar nga rusët dhe se autoritetet janë të përqendruara në deminimin e tokës bujqësore sa më shpejt që është e mundshme.
“Ne nuk kemi kohë që t’i deminojmë fushat. Sasia e punës është e jashtëzakonshme. Do të nevojiteshin vite për ta deminuar këtë fushë me dorë dhe për të garantuar se nuk ka mina këtu”- tha Serhii Dudak, shef i njësitit të deminimit që tash po e mbikëqyr punën e traktorit të pazakontë.