Britania u bën thirrje Indisë e Pakistanit për dialog e shtensionim
Mbretëria e Bashkuar u bëri thirrje Pakistanit dhe Indisë që të zhvillojnë bisedime rreth tensioneve në rritje, duke thënë se “askush nuk fiton” nga eskalimi i mëtejmë i situatës.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se vendi i tij “është duke angazhuar urgjentisht me të dyja vendet... duke i inkurajuar dialogun, shtensionimin dhe mbrojtjen e civilëve”, raporton gazeta “The Guardian”.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha: Qeveria britanike po u bën thirrje Indisë e Pakistanit që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të angazhohen në dialog të drejtpërdrejtë për të gjetur një rrugë diplomatike të shpejtë përpara.”
Ai shtoi se Britania, e cila ka miliona qytetarë me prejardhje indiane e pakistaneze, “ka marrëdhënie të ngushta e unike me të dyja vendet”.
“U kam bërë të qartë homologëve të mi në Indi dhe Pakistan se, nëse kjo eskalon më tej, askush nuk fiton” – deklaroi kryediplomati britanik.
Zyra e Jashtme e Britanisë i ka përditësuar udhëzimet esaj për udhëtime në rajon, duke paralajmëruar kundër të gjitha udhëtimeve brenda 10 kilometrave të kufirit Indi – Pakistan, 16 kilometrave të Vijës së Kontrollit (de fakto kufin që e ndan Kashmirin e kontestuar mes dy vendeve) dhe në provincën Baloçistan të Pakistanit.