Britania thotë se një anije spiune ruse hyri përsëri në ujërat britanike
Forcat detare britanike thanë të mërkurën se do t’i shtojnë masat për mbrojtjen e ujërave nga operacionet secrete ruse pas identifikimit të një anijeje spiune ruse në ujërat britanike për herë të dytë brenda disa javëve.
Anija spiune ruse, e quajtur “Yantar”, lundroi nëpër Kanalin Anglez këtë javë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë lundrimit nëpër kanal, ajo u përcoll nga luftanija britanike, “HMS Somerset”, raporton televizioni CNN.
Anija “Yantar” kishte hyrë fillimisht në ujërat britanike në nëntor dhe ishte “vërtitur” përreth infrastrukturës nëndetare kritike, tha ministria britanike, duke shtuar se pas pranimit të një paralajmërimi nga një nëndetëse britanike, ajo u largua nga Britania për në Mesdhe, por tashmë është rikthyer.
Ngjarja ndodhi në kohën e shqetësimit të shtuar për sabotimin rus në ujëra ndërkombëtare, përderisa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe kur në Detin Baltik janë regjistruar një varg incidentesh të tjera.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, tha se Britania do ta fuqizojë mbrojtjen e kabllove dhe infrastrukturës tjetër larg territorit tokësor në Detin Baltik, duke ofruar patrulla detare dhe aeroplanë vëzhgues për përpjekjet e NATO-s.
“Porosia ime për presidentin Putin është e qartë. Ne e dimë se çfarë jeni duke bërë ju dhe nuk do të tërhiqemi nga veprimet e forta për ta mbrojtur Britaninë” – tha të mërkurën Healey.
Sipas tij, Britania do të dislokojë një sistem të avancuar të inteligjencës artificiale, i njohur si “Gardiani Nordik”, për të njëjtin qëllim. Kjo u njoftua nga Qeveria e Britanisë pas dëmit ndaj kabllos nëntokësore “Estlink2” mes Estonisë dhe Finlandës në dhjetor./Nacionale